“Faleminderit për këto lule të bukura”, Kurti publikon pamje nga takimi me presidenten Shiroka-Pula

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 08 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar pamje nga takimi i tij me presidenten e vendit, Justina Shiroka-Pula, pas emërimit të saj në këtë detyrë.

Kurti ka ndarë momente nga takimi i zhvilluar në zyrën e re të presidentes, duke e uruar Shiroka-Pulën për përgjegjësinë e re institucionale.

“Nder dhe kënaqësi ta kemi presidente të Republikës së Kosovës, profesoreshën Justina Shiroka-Pula, dhe të zhvillojmë takimin tonë të parë në zyrën e saj të re”, ka shkruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka uruar presidenten për detyrën e re dhe e ka falënderuar për pranimin e kësaj përgjegjësie.

“E urova për detyrën dhe e falënderova që na gëzoi duke pranuar këtë përgjegjësi në një kohë kur vendi kishte shumë nevojë për president që, përveçse përbashkon e sjell stabilitet, ka integritet të lartë, dije të gjerë dhe përvojë të gjatë akademike e institucionale”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri ka theksuar gjithashtu se institucionet do të bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë veprimet për çështjet që lidhen me interesin e qytetarëve dhe prioritetet shtetërore.

“Do të bashkëpunojmë e do të bashkërendohemi për punët e mira për qytetarët dhe për prioritetet shtetërore”, ka përfunduar Kurti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër