Meloni: Energjia shqetësim kryesor, nevojitet përgjigje e koordinuar dhe e shpejtë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Romë, 14 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se kostoja e energjisë është problemi kryesor që rëndon ekonominë dhe konkurrueshmërinë e bizneseve italiane.

Gjatë komunikimeve në Senat, në prag të Këshillit Evropian të 15-16 tetorit, ajo theksoi se asnjë shtet nuk mund ta përballojë i vetëm këtë sfidë dhe bëri thirrje për një përgjigje të koordinuar dhe të shpejtë në nivel evropian.

Meloni kërkoi gjithashtu rishikimin e disa rregullave evropiane, të cilat, sipas saj, janë hartuar në rrethana të ndryshme dhe rrezikojnë të përkeqësojnë krizën aktuale.

Ajo paralajmëroi se kostot shtesë që Evropa u imponon bizneseve të saj dobësojnë konkurrueshmërinë përballë rivalëve ndërkombëtarë.

Sa i përket luftës në Ukrainë, kryeministrja italiane konfirmoi se qëndrimi i qeverisë nuk ndryshon.

Italia do të vazhdojë të mbështesë Kievin, të ushtrojë presion ndaj Moskës dhe të ruajë unitetin euroatlantik.

Sipas Melonit, dorëzimi i një vendi që mbron lirinë e tij nuk mund të konsiderohet paqe, ndërsa vetëm një paqe e drejtë mund të jetë e qëndrueshme dhe të garantojë sigurinë e Evropës.

Kryeministrja shprehu rezerva ndaj marrëveshjes për naftën ruse, të njoftuar nga presidenti amerikan Donald Trump javën e kaluar.

Ajo argumentoi se rritja e çmimeve të karburanteve lidhet kryesisht me luftën në Iran dhe jo me konfliktin në Ukrainë.

Sipas saj, një marrëveshje e tillë mund t’i sigurojë Moskës të ardhura të reja për financimin e luftës, të legjitimojë veprimet e saj dhe të dobësojë efektin e sanksioneve perëndimore.

Meloni kërkoi që Bashkimi Evropian të caktojë një përfaqësues me mandat nga të 27 shtetet anëtare, i cili të përfaqësojë zyrtarisht Evropën në negociatat për paqen në Ukrainë.

Ajo kritikoi faktin që Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe kanë zgjedhur të veprojnë përmes formatit E3, duke theksuar se çdo përpjekje e tillë duhet të ketë një mandat të përbashkët evropian.

Në lidhje me shpenzimet e mbrojtjes, kryeministrja hodhi poshtë pretendimet se rritja e tyre do të bëhet në kurriz të shëndetësisë dhe arsimit.

Ajo deklaroi gjithashtu se Italia nuk do të pranojë një buxhet të Bashkimit Evropian që dobëson Politikën e Përbashkët Bujqësore, sektorin e peshkimit dhe fondet e kohezionit.

Meloni nënvizoi se Roma nuk do të nënshkruajë një marrëveshje buxhetore vetëm për të respektuar një afat kohor, por vetëm nëse ajo është e drejtë dhe e favorshme për interesat e Italisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër