Shkup, 15 tetor, Zhurnal.mk – Policia ka ngritur kallëzime penale ndaj tre personave lidhur me incidentin e 7 tetorit në Shkup, ku gjatë një aksioni kundër dyshimeve për trafikim të marihuanës, njëri prej të dyshuarve ia mori pistoletën zyrtare një polici.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, ngjarja ndodhi në rrugën “Crnogorska”, ku policia kishte organizuar një pritë pas informatave se do të kryhej shitblerje e marihuanës. Kur policët iu afruan një veture BMW për kontroll, shoferi tentoi të largohej, ndërsa nga automjeti u hodh një qese me marihuanë.
Në atë moment, pasagjeri dyshohet se ia mori pistoletën policit, ndërsa shoferi u largua me shpejtësi. Policia u vu në ndjekje të veturës drejt autostradës Shkup–Tetovë, duke dhënë sinjale për ndalim. Gjatë ndjekjes, një polic qëlloi tri herë në ajër si paralajmërim.
Arratisja përfundoi kur BMW-ja u përplas me barrierën anësore të autostradës dhe u rrotullua. Dy personat, të moshës 24 dhe 21 vjeç, u arrestuan, ndërsa arma u sekuestrua dhe qesja me marihuanë u gjet pas kontrollit të terrenit.
Kallëzime penale janë ngritur ndaj dy të dyshuarve për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës dhe për trafikim të lëndëve narkotike. Një person i tretë, që dyshohet se ka lidhje me rastin, është kallëzuar për veprën që lidhet me narkotikët.
Ndërkohë, Departamenti për Kontroll të Brendshëm në MPB po shqyrton nëse ka pasur parregullsi në veprimet e policëve gjatë aksionit.
