Prishtinë, 15 tetor, Zhurnal.mk – Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se Kosova nuk e përmbylli procesin e anëtarësimit në Këshillin Evropian, sipas tij, për shkak të Gjykatës Speciale.
Për këtë, ai ka kërkuar që Kuvendi dhe Grupet Parlamentare të nisin një mocion për Këshillin e Evropës.
“Në prill të vitit 2008, Këshilli i Evropës e nisi një mocion për ta hartuar raportin e Dick Martyt. Në dhjetor të vitit 2010, dhe në janar të vitit 2011, ky mocion u shndërrua në një raport me pretendime për trafikim të organeve. Ky mocion dhe ky raport ka qenë pjesa më komplekse, më goditëse e luftës hibride ruse kundër Pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Sot unë dola në foltore që të kërkoj që Kuvendi i Kosovës, të gjitha Grupet Parlamentare të nisin një mocion për të cilin duhen vetëm 20 nënshkrime, në Këshillin e Evropës nga 5-6 vende. Një mocion që ndërtohet mbi atë që të verifikohen të gjitha burimet që i ka përdorur Këshilli i Evropës për ta hartuar këtë raport, të sqarohet metodologjia, të kërkohet anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës meqë unë jam i bindur që arsyeja që Kosova para dy vitesh nuk e ka përmbyllur procesin e anëtarësimit të saj në Këshill të Evropës nuk është asociacioni i komunave, por është pikërisht i ndërlidhur me Gjykatën Speciale”, tha Hoxhaj.
