Editorial / Sa mund të ndihmojnë shqiptarët në çështjen me Bullgarinë

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 tetor, Zhurnal.mk – Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk ka një strategji të qartë se si do ta kapërcejë bllokimin që ia bën Bullgaria për hapjen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian. Në këtë pikë nga BDI kërkuan përgjigje, por kryeministri Mickoski iu bëri kundër-pyetje, duke i ofruar edhe opozitës që të kyçet në këto negociata. Por, sa me të vërtetë është e sinqertë kjo ofertë e kryeministrit dhe a ka diçka që mund të ofrojë opozita, sidomos BDI e LSDM, të cilat vazhdimisht akuzohen për këtë situatë. Në përgjithësi, partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, luajnë një rol përcaktues dhe strategjik në zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, shkruan “Zhurnal.mk”.

Ofertë opozitës që të përfshihet në negociata

Lidhur me çështjet e hapura me Bullgarinë, kryeministri shprehu gatishmërinë për të përfshirë opozitën në proces, duke propozuar që partitë opozitare të nominojnë përfaqësuesit e tyre në ekipin që do të udhëheqë dialogun me Sofjen.

Në këtë rast, Qeveria është e gatshme të pranojë propozimet e partive opozitare për pjesëmarrjen e tyre në bisedimet me Bullgarinë, duke vlerësuar se nevojitet një qasje më e gjerë politike ndaj çështjes që prej vitesh bllokon përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.

Megjithatë si hap i radhës nevojitet harmonizimi i Planit të Veprimit për Minoritetet. Ky dokument është pranuar nga 26 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, por ende nuk ka marrë pëlqimin nga Bullgaria. Prandaj, edhe nëse nesër vendoset të ndryshohet Kushtetuta, kjo sërish nuk do të jetë e mjaftueshme për të vazhduar negociatat, sepse duhet të ketë një Plan Veprimi të harmonizuar për Minoritetet.

Me këtë mesazh, edhe një herë doli në plan të parë çështja e kushteve nën të cilat Maqedonia e Veriut mund të vazhdojë procesin e anëtarësimit, por edhe nevojën për një konsensus më të gjerë politik për negociatat me Sofjen, shkruan “Zhurnal.mk”.

Sa mund të ndihmojnë shqiptarët në çështjen me Bullgarinë

Deri më tani kryesisht është kërkuar një unitet te partitë maqedonase, por oferta na kryeministri ndaj BDI-së duket si një dorë e zgjatur e bashkëpunimit për të ardhmen. Sigurisht BDI e ka mirëpritur këtë ftesë, duke rikonfirmuar se ka qenë gjithmonë pro dialogut, dhe e konsideron përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë dhe respektimin e marrëveshjeve të arritura, siç është propozimi francez, si një “vijë të kuqe” që nuk lejon kthim mbrapa, pasi kjo siguron zhbllokimin e negociatave me Bashkimin Evropian.
Si një nga partitë kryesore shqiptare në opozitë, mbështetja dhe konstruktiviteti i BDI-së në Kuvend janë vendimtare për të arritur shumicën e nevojshme prej dy të tretave për ndryshimet kushtetuese, nëse qeveria dhe partnerët ndërkombëtarë gjejnë një modalitet të pranueshëm për kapërcimin e bllokadës.

Pas ftesës së hapur të kryeministrit Hristijan Mickoski që opozita t’i bashkohet ekipeve shtetërore, BDI mund të delegojë ish-diplomatë dhe zyrtarë me përvojë siç është ish-ministri i Jashtëm Bujar Osmani, për të negociuar me Sofjen dhe për të formësuar një plan të përbashkët veprimi, por kjo duhet për t’u parë nëse Osmani do të jetë i pranueshëm për Mickosvskin. Ishte vetë kryeministri që disa herë publikisht e ka akuzuar Osmanin për tradhti dhe se ka nënshkruar diçka në dëm të maqedonasve.
Në përgjithësi, partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, si ato në qeveri (koalicioni VLEN), ashtu edhe ato në opozitë (BDI dhe Aleanca për Shqiptarët), luajnë një rol përcaktues dhe strategjik në zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon votat e 80 deputetëve ose 2/3. Partitë maqedonase në pushtet (VMRO-DPMNE dhe koaliconi i tyre nuk i kanë këto numra vetë, prandaj blloku i deputetëve shqiptarë si nga VLEN ashtu edhe nga opozita e udhëhequr nga BDI, është i bashkuar rreth qëndrimit se ndryshimet kushtetuese duhet të kalojnë sa më parë. Ky unitet votash heq çdo pengesë nga ana shqiptare dhe e zhvendos përgjegjësinë e vendimmarrjes vetëm te konsensusi brenda bllokut politik maqedonas.

Si pjesë e koalicionit qeverisës, koalicioni VLEN ka ofruar zyrtarisht të luajë rolin e mediatorit për të rilidhur urat e komunikimit midis Shkupit dhe Sofjes. Duke qenë se partitë shqiptare nuk kanë ngarkesa emocionale apo historike me Bullgarinë, ndryshe nga partitë maqedonase, ato shihen si një palë neutrale dhe racionale brenda shtetit që mund të lehtësojnë dialogun pa rënë në grackën e debateve identitare apo gjuhësore.

Koha për bashkim dhe zgjidhje

Thirrja drejtuar opozitës vjen pas njoftimeve të mëparshme për të krijuar një mekanizëm të përbashkët për bashkëpunim midis qeverisë dhe opozitës. Në prill të vitit 2025, kryeministri Mickoski dhe kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, arritën një marrëveshje në parim në një takim dypalësh për të krijuar grupe pune të përbashkëta për axhendën e reformave, por mekanizmi i paralajmëruar nuk funksionoi.

Fokusi ishte në mundësitë për një model të ri të bashkëpunimit politik për çështje me interes më të gjerë publik. Në atë kohë, u njoftua formimi i grupeve të punës për gjyqësorin, energjetikën, si dhe për çështje dhe projekte të caktuara strategjike në shëndetësi.

Të dy udhëheqësit theksuan më pas nevojën për konsensus politik mbi çështjet kryesore shtetërore, por nuk u arrit asnjë marrëveshje për një qasje të përbashkët në lidhje me mosmarrëveshjen me Bullgarinë.

Dallimet mbi integrimin evropian, ndryshimet kushtetuese dhe qasjen ndaj Sofjes mbetën, pa u krijuar një mekanizëm specifik përmes të cilit opozita do të merrte pjesë në krijimin e strategjisë së qeverisë.

Përfshirja e opozitës në procesin e integrimit evropian ka qenë një nga çështjet e diskutueshme në marrëdhëniet midis partive politike për vite me radhë. Praktika e kaluar tregon se vendimet kryesore janë marrë më shpesh pa pjesëmarrjen substanciale të partive opozitare, gjë që më vonë shkaktoi mosmarrëveshje politike mbi përmbajtjen dhe pranueshmërinë e tyre.

Çështja e vendosjes së qëndrimeve të përbashkëta shtetërore u ngrit në disa raste, përfshirë përmes rezolutës së VMRO-DPMNE-së të vitit 2021, projektrezolutës së LSDM-së të vitit 2025 dhe Platformës Kombëtare për Unitetin Kombëtar Maqedonas dhe Përcaktimin e Vijave të Kuqe Kombëtare Maqedonase, të promovuar nga lëvizja ZNAM në dhjetor 2024.

Prandaj, mbetet për t’u parë nëse thirrja e fundit e Mickoskit do të rezultojë në një marrëveshje konkrete për pjesëmarrjen e opozitës në bisedimet me Bullgarinë, apo do të mbetet një tjetër nismë për konsensus politik pa një mekanizëm funksional për veprim të përbashkët, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër