NATO riafirmon përkushtimin ndaj KFOR-it dhe stabilitetit rajonal

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prshtinë, 15 tetor, Zhurnal.mk – NATO ka riafirmuar përkushtimin e saj ndaj misionit të KFOR-it dhe stabilitetit rajonal, pas ceremonisë së ndërrimit të komandës së misionit, të mbajtur më 14 tetor në selinë e KFOR-it në Prishtinë, shkruan Telegrafi.

Sipas njoftimit të NATO-s, gjeneralmajori Roberto Vergori nga Italia ka marrë komandën e KFOR-it, duke pasuar gjeneralmajorin Özkan Ulutaş nga Turqia. Ceremoninë e drejtoi komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali George M. Wikoff, në praninë e përfaqësuesve të institucioneve në Kosovë dhe të bashkësisë ndërkombëtare.

Admirali George M. Wikoff vlerësoi udhëheqjen dhe shërbimin e gjeneralmajorit Özkan Ulutaş gjatë dy mandateve të tij si komandant i KFOR-it, duke veçuar angazhimin me komunitetet anembanë Kosovës dhe punën për forcimin e marrëdhënieve me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

“Ai e bëri këtë me iniciativë, aftësi për t’u përshtatur dhe përkushtim vetëmohues ndaj misionit dhe atyre që kishte nën komandë”, deklaroi admirali George M. Wikoff, i cili vlerësoi gjithashtu sakrificat e personelit të KFOR-it dhe të familjeve të tyre.

Duke folur për kontributin e vazhdueshëm të KFOR-it në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë, admirali George M. Wikoff theksoi procesin e optimizimit të misionit për rritjen e efektivitetit të tij. Ai shprehu besim në udhëheqjen e gjeneralmajorit Roberto Vergori dhe riafirmoi mbështetjen e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli.

“Roberto, faleminderit që e pranove këtë përgjegjësi”, tha admirali George M. Wikoff.

Gjeneralmajori Özkan Ulutaş theksoi se KFOR-i kishte mbetur i përqendruar në përmbushjen e mandatit të tij

“Gjatë gjithë kohës, KFOR-i mbeti plotësisht i përqendruar në një qëllim të vetëm: të kontribuojë në sigurinë e qëndrueshme për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe në lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin tonë të kahershëm të OKB-së. KFOR-i gjithashtu vazhdoi të mbështesë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar nga BE-ja”, deklaroi gjeneralmajori Özkan Ulutaş.

Ndërkaq, gjeneralmajori Roberto Vergori theksoi se pjesëtarët e KFOR-it “mbeten thellësisht të përkushtuar ndaj përmbushjes së mandatit tonë të OKB-së, duke kontribuar në krijimin e kushteve të duhura për një të ardhme në të cilën brezat e rinj mund të gëzojnë plotësisht përfitimet e paqes së qëndrueshme, demokracisë dhe prosperitetit”.

Në komunikatë, NATO vlerëson se situata e sigurisë në Kosovë ka mbetur përgjithësisht stabile dhe ka vazhduar të përmirësohet.

Aleanca rikujton se në qershor njoftoi optimizimin e pranisë dhe dislokimit të KFOR-it, për të siguruar që misioni të mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e detyrave të tij. Ky proces është në vazhdim dhe përfshin përshtatjen graduale dhe të matur të pranisë, dislokimit dhe numrit të trupave gjatë vitit pasues.

Sipas NATO-s, procesi bazohet në kushtet në terren dhe mund të kthehet prapa nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë këtë

“Ballkani Perëndimor është rajon me rëndësi strategjike për NATO-n. Përkushtimi i Aleancës ndaj stabilitetit rajonal mbetet i palëkundur”, thuhet në komunikatë.

NATO thekson se KFOR-i vazhdon të kontribuojë në sigurinë e qëndrueshme për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe në lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin e tij të kahershëm të OKB-së, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999.

Misioni e përmbush këtë detyrë në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, sipas roleve të tyre përkatëse në reagimin ndaj çështjeve të sigurisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër