Shiroka-Pula: Puna dhe vepra e akademik Islamit, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së Kosovës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 15 tetor, Zhurnal.mk – Presidentja Justina Shiroka-Pula, ka marrë pjesë sot në promovimin e dy veprave shkencore të akademik Hivzi Islamit, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij.

Sipas njoftimin nga zyra e Presidentes, Shiroka-Pula tha se këto dy vepra shkencore, përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së tij shumëvjeçare dhe të kontributit të jashtëzakonshëm në studimin e popullsisë së Kosovës dhe të shqiptarëve.

Por, sipas saj, kjo ditë ka një domethënie më të gjerë sesa promovimi i dy librave apo shënimi i një jubileu. Kjo pasi, siç u shpreh Presidentja, sot nderohet një jetë të tërë kushtuar dijes, shkencës, arsimit universitar, zhvillimit institucional dhe interesit të përgjithshëm të vendit tonë.

“Në historinë e çdo institucioni shkencor ka personalitete që nuk dallohen vetëm për veprat që kanë shkruar, por edhe për gjurmët që kanë lënë në zhvillimin e vetë institucionit, në formimin e brezave të rinj dhe në afirmimin e shkencës në hapësirën kombëtare e ndërkombëtare. Një personalitet i tillë është pa dyshim akademik Hivzi Islami”, u shpreh Shiroka-Pula.

Ajo më tej tha se për të personalisht, kjo ditë ka edhe një vlerë të veçantë, ngase, si kolege e tij prej shumë vitesh, ka pasur mundësinë ta njohë nga afër përkushtimin e tij ndaj punës shkencore, seriozitetin profesional, përgjegjësinë institucionale dhe këmbënguljen për të ruajtur e avancuar autoritetin e Akademisë.

“Prandaj, kam dëshiruar prej kohësh që këtë përvjetor ta shënojmë në mënyrë dinjitoze, jo vetëm për të vlerësuar veprën e tij shkencore, por edhe për t’i shprehur mirënjohjen tonë për gjithçka që ka bërë për Universitetin, Akademinë dhe shkencën shqiptare”, theksoi Presidentja Shiroka-Pula.

E para e shtetit më tej tha se tetëdhjetë vjet jetë dhe më shumë se pesë dekada veprimtari akademike e shkencore përbëjnë një rrugëtim të gjatë, të pasur me punë, përgjegjësi, sfida dhe arritje, e që sipas saj, është një rrugëtim që meriton respekt dhe vlerësim të veçantë.

“Një ndër meritat e tij të veçanta është institucionalizimi i demografisë si disiplinë shkencore dhe universitare në Kosovë. Ai organizoi studimet pasuniversitare në këtë fushë dhe kontribuoi drejtpërdrejt në përgatitjen e brezave të studiuesve të rinj, shumë prej të cilëve vazhduan rrugën e tyre akademike e shkencore”, pohoi Presidentja.

Sipas saj, veprimtaria krijuese  e akademik Islamit dëshmon jo vetëm besimin që kolegët kanë pasur ndaj tij, por edhe përkushtimin e vazhdueshëm të tij për zhvillimin, organizimin dhe afirmimin e Akademisë.

Presidentja tha se kontributi shkencor i akademik Islamit është i gjerë dhe shumëdimensional.

Shiroka-Pula tha se ajo që e dallon veprën e akademik Islamit është qasja e tij gjithëpërfshirëse ndaj fenomeneve demografike.

Tutje, kreu i shtetit tha se Kosova sot përballet me sfida të mëdha demografike dhe socioekonomike: emigrimin, largimin e të rinjve, ndryshimet në strukturën e moshës së popullsisë, rënien e lindshmërisë dhe ndikimin e këtyre proceseve në tregun e punës, në ekonomi dhe në zhvillimin afatgjatë të vendit.

Sipas Presidentes, vepra e parë, “Kosova: Tranzicioni i fundit demografik në Evropë”, paraqet një trajtim të thelluar të proceseve të transformimit demografik të popullsisë së Kosovës.

Në fund, Presidentja Justina Shiroka-Pula tha se ky jubile shënon jo vetëm një moment për të vlerësuar rrugën e deritanishme të akademik Hivzi Islamit, por edhe një rast për të shprehur bindjen se puna dhe vepra e tij do të vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë shkencore dhe akademike të Kosovës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër