Kos: Ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 15 tetor Zhurnal.mk – Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, ka theksuar se ndryshimet e fundit në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme dhe se miratimi dhe zbatimi i tyre do të ishte në kundërshtim me zotimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.

Në një postim në rrjetin social amerikan X, Kos njoftoi se me kryenegociatorin e Kosovës, Jeton Zulfaj, ka diskutuar për rrugën e integrimit evropian të vendit.

Ajo theksoi se, pavarësisht paqëndrueshmërisë institucionale gjatë dy viteve të fundit, Kosova ka shënuar përparim në reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe në zbatimin e Planit të Rritjes.

Sipas saj, Kosova ka bërë gjithashtu përparim të mirë drejt përfshirjes në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).

Megjithatë, ajo vlerësoi se ndryshimet e fundit në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës përbëjnë një çështje shqetësuese në kuadër të procesit të integrimit evropian.

“Miratimi dhe zbatimi i tyre do të ishte në kundërshtim me zotimet e Kosovës ndaj BE-së. Ato do të përbënin një hap serioz prapa në rrugën e Kosovës drejt BE-së”, theksoi Kos.

Ajo po ashtu tha se respektimi i sundimit të ligjit dhe i institucioneve të pavarura gjyqësore është thelbësor për përgatitjen e hapave të ardhshëm të Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.

Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës këtë muaj, parashikojnë kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale në Hagë, uljen e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë dhe faljen presidenciale të të dënuarve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër