Uashington, 16 tetor, Zhurnal.mk – Presidenti amerikan, Donald Trump e ka cilësuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky si një partner më të vështirë për negociata sesa presidentin rus Vladimir Putin duke e paraqitur atë si një pengesë për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Në një intervistë për televizionin konservator amerikan “Newsmax”, presidenti Trump sugjeroi se një marrëveshje paqeje do të ishte e mundur vetëm pa udhëheqësin ukrainas.
”Zelensky nuk është një person i mirë për të negociuar me të”, deklaroi presidenti amerikan duke shtuar se nuk ishte aspak admirues i tij.
Presidenti Trump pretendoi se Zelensky thotë se dëshiron një marrëveshje paqeje, por në të vërtetë nuk është i gatshëm të arrijë një të tillë.
Megjithatë, ai u shpreh se beson që të dy liderët, si Zelensky ashtu edhe Putin, dëshirojnë paqen dhe parashikoi se lufta, e nisur me pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, mund të përfundojë së shpejti.
Marrëdhëniet mes Trumpit dhe Zelenskyt janë shoqëruar vazhdimisht me përplasje.
Në fillim të kësaj jave, presidenti ukrainas shprehu zhgënjim pasi Trump ra dakord me Moskën që Rusia të furnizonte tregjet amerikane dhe ato globale me më shumë se 300 mijë tonë naftë diezel, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
”Është për të ardhur keq që po humbasim një partner të fortë”, tha Zelensky në një intervistë me gazetarin britanik Piers Morgan.
Trump akuzoi gjithashtu presidentin ukrainas se, përmes sulmeve ndaj rafinerive ruse, po kontribuon në rritjen e çmimeve globale të naftës.
”Ai nuk po i bën një shërbim të mirë botës”, deklaroi presidenti amerikan.
Ukraina mbështetet ndjeshëm te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht për informacionet e zbulimit që ndihmojnë mbrojtjen ajrore dhe për shërbimin e internetit satelitor “Starlink”.
Zelensky është ankuar për mangësi në shkëmbimin e informacionit të inteligjencës dhe kufizime në aksesin në internet, të cilat, sipas tij, kanë penguar operacionet ukrainase me dronë.
Ndërkohë, ai pritet të marrë pjesë sot në Bruksel në takimin me liderët e Bashkimit Evropian, ku do të diskutohet për mbështetjen e mëtejshme ndaj Ukrainës.
