Tiranë, 16 tetor, Zhurnal.mk – Policia e Tiranës reagoi pak pas mesnate në lidhje me disa incidente që ndodhën në kryeqytet gjatë protestës së zhvilluar më 15 tetor.
Në lidhje me disa video të publikuara në rrjetet sociale, ku pretendohet se disa civilë kanë shoqëruar me forcë një shtetase, Policia e Tiranës sqaron se personi i shoqëruar është mashkull dhe jo femër.
Sipas policisë, shoqërimi është kryer nga punonjës të Policisë Kriminale, në kuadër të veprimeve të ndërmarra për identifikimin dhe shoqërimin e personave të dyshuar për përfshirje në veprimet e kundërligjshme gjatë protestës, pasi dyshohet se ky shtetas drejtonte tubuesit dhe gjuante me zare metalikë punonjësit e Policisë dhe institucionet.
Gjithashtu, në lidhje me pretendimet e publikuara në rrjetet sociale se punonjësit e Policisë kanë përdorur kavo metalike, Policia e Tiranës bën me dije se kavot e publikuara në media u janë kapur paraditen e datës 15.10.2026 katër të rinjve të maskuar, të cilët po shkonin në protestë për të goditur protestuesit.
“Policia e Tiranës nuk përdor të tilla mjete, pasi llojet e mjeteve që përdor janë të standardizuara me ligj dhe procedura standarde”, nënvizoi policia.
Ndërkohë, policia sqaroi se një grup protestuesish të maskuar, në orët e mbrëmjes së datës 15.10.2026, kanë shkuar në Qendrën Studentore dhe kanë thyer xhamat dhe dyert e godinave të Qendrës Studentore në Qytet Studenti. Policia ka kryer të gjitha veprimet procedurale dhe vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Njëkohësisht, sqarojmë opinionin publik se asnjë punonjës policie nuk ka dhënë dorëheqjen dhe nuk ka asnjë urdhër për ushtrimin e dhunës ndaj personave të shoqëruar.
Policia e Tiranës shpreh keqardhjen për përhapjen e këtyre lajmeve dashakeqe, me qëllim krijimin e një klime konfliktuale mes Policisë dhe protestuesve. Policia e Tiranës nënvizoi se respekton dhe garanton të drejtën për të protestuar paqësisht dhe u bën apel pjesëmarrësve në tubime të distancohen nga personat e dhunshëm dhe të maskuar, të cilët po sulmojnë punonjësit e Policisë, institucionet shtetërore dhe pronën publike e private.
Gjatë tubimit të datës 15.10.2026, si pasojë e dhunës, janë dëmtuar 22 punonjës policie. Gjithashtu, janë dëmtuar institucione, objekte private dhe bankare, si dhe është dëmtuar sinjalistika rrugore.
Policia e Tiranës po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave që kanë kryer akte dhune.
