Lufta që shpërfaqet në përditshmëri: Filmi “Dua” sjell Kosovën e fundviteve 90-të nëpërmjet syve të një adoleshenteje

Nga D V
A+ A-
Rivendos

E përditshmja e njohur zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” e lavdëron filmin “Dua” të regjisores kosovare Blerta Basholli.

Dua është trembëdhjetë vjeçe. Bashkë me shoqet e saj po bëhet gati për një festë: lyhen, qeshin dhe mundohen të marrin me mend se kush do të jetë atje. Por në mesin e muzikës dhe hapësirës së errët, festa ndërpritet dhunshëm nga shfaqja e një njësie të policisë serbe.

Me këtë skenë hapet filmi më i ri i regjisores kosovare Blerta Basholli, i titulluar “Dua”, për të cilin e përditshmja e njohur zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” ka botuar sot një kritikë tejet vlerësuese.

Në shkrimin e saj, gazeta zvicerane vë në dukje se si filmi bazohet në kujtimet e fëmijërisë së vetë regjisores për të sjellë përditshmërinë e trazuar të Prishtinës në fund të viteve të nëntëdhjeta.

Përmes protagonistës kryesore, Duas (e luajtur nga Pinea Matoshi), e cila është fëmija më i vogël i një familjeje punëtore, Basholli pikturon ndjesinë e pasigurisë që përpin gradualisht jetën e përditshme, transmeton Telegrafi.

Rruga për në shkollë bëhet me ecje rreth e rrotull për t’iu shmangur provokimeve të të rinjve serbë, mësimi zhvillohet nëpër shtëpi-shkolla private, fqinjët serbë nuk përshëndesin më, ndërsa babai monton dyer hekuri në hyrje të banesës. “Nuk ka nevojë të shfaqësh armë apo vrasje masive për të treguar përmasën e luftës. Për mua, lufta ishte e pranishme në çdo moment, me sa duket të vogël, të përditshmërisë,” shpjegon Basholli.

Ngjarjet marrin një rrjedhë edhe më dramatike kur motra më e madhe e shoqës së saj gjendet e vrarë, një ngjarje që e përball Duan drejtpërdrejt me dhunën dhe diskriminimin ndaj popullsisë shqiptare nën sundimin serb. Ndërsa vëllai i saj konsideron t’i bashkohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), filmi eksploron vijën e hollë mes vetëmbrojtjes dhe vetëgjyqësisë kur bota rreth teje shembet.

“Neue Zürcher Zeitung” thekson se ky projekt kinematografik, i cili shfaqi premierën e tij botërore në Festivalin e Kanës (Cannes), merr një peshë të veçantë sot në kuadër të zhvillimeve politike dhe përpjekjeve për përballjen me të kaluarën.

Për regjisoren Basholli, e cila këtë vepër ua ka kushtuar prindërve të saj, filmi shërben si një dokument i rëndësishëm i kohës për të edukuar brezat e rinj: “Njerëzit në luftë janë njerëz të zakonshëm, që dëgjojnë të njëjtën muzikë e shohin të njëjtët filma si ne – dhe ata nuk e kanë merituar të përjetojnë luftën.”

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër