Universiteti i Tetovës e shënoi Ditën Botërore të Ushqimit me fokus tek inovacioni dhe ushqyerja e shëndetshme

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 tetor, Zhurnal.mk – Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës, organizoi një aktivitet me rastin 16 Tetorit, Ditës Botërore të Ushqimit, me moton “Inovacioni i sotëm, ushqimi I së nesërmes”. Në këtë ngjarje morën pjesë drejtues të Universitetit, profesorë, studentë dhe nxënës të shkollave të mesme, të cilët patën mundësinë të njihen me rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme dhe rolin e shkencës në përmirësimin e cilësisë së ushqimit.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të shoqërisë për ushqyerjen e shëndetshme dhe ndikimin e saj në cilësinë e jetës. “Sensibilizimi për këto çështje është jashtëzakonisht i rëndësishëm në rrethanat në të cilat jetojmë. Ushqimi që konsumojmë sot reflektohet në shëndetin tonë në të ardhmen, prandaj duhet të jemi të vetëdijshëm për cilësinë e tij dhe mënyrën tonë të jetesës. Universiteti, përmes aktiviteteve të këtilla, synon të kontribuojë në ngritjen e vetëdijes dhe promovimin e një jete më të shëndetshme.” – theksoi Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Gafur Xhabiri, u shpreh se shënimi i Ditës Botërore të Ushqimit ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së popullsisë për rëndësinë e ushqimit, ndërsa për institucionet akademike kjo ditë është një mundësi për të dëshmuar lidhjen ndërmjet shkencës dhe konsumatorëve. “Dita Botërore e Ushqimit synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e ushqimit në mbarë botën. Motoja e këtij viti, “Inovacioni i sotëm, ushqimi i së nesërmes”, ka rëndësi të veçantë për fakultetin tonë, pasi ndërlidh shkencën me nevojat e konsumatorëve. Sot kemi ftuar edhe nxënës të shkollave të mesme, ndërsa studentët tanë kanë përgatitur ushqime tradicionale, duke ndërthurur njohuritë akademike me vlerat e traditës sonë ushqimore.” – u shpreh dekani Prof. Dr. Gafur Xhabiri.

Në kuadër të aktivitetit, studentët prezantuan ushqime tradicionale të përgatitura prej tyre, duke promovuar trashëgiminë gastronomike dhe rëndësinë e ruajtjes së vlerave ushqimore. Përmes këtij organizimi, Universiteti i Tetovës respektivisht Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit ritheksojnë përkushtimin ndaj edukimit, inovacionit dhe ndërgjegjësimit të brezave të rinj për rëndësinë e të ushqyerit shëndetshëm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër