Elbasan, 17 tetor Zhurnal.mk – Protestat kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama vijojnë edhe në Elbasan, ku një grup të rinjsh ka dalë sërish në rrugë për të tretën ditë radhazi, duke kërkuar largimin e kreut të qeverisë.
Të rinjtë janë mbledhur fillimisht në sheshin kryesor të qytetit, nga ku kanë nisur marshimin përgjatë bulevardit, të shoqëruar me thirrje kundër qeverisë.
Edhe pse pjesëmarrja në protestë është e vogël, të rinjtë kanë vijuar të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke brohoritur “Rama ik”.
Gjatë marshimit, protestuesit u janë drejtuar edhe qytetarëve që ndodheshin në lokalet përgjatë bulevardit, duke u bërë thirrje të lënë kafenetë dhe t’i bashkohen tubimit.
“Çohuni nga kafja, bashkohuni me ne”, kanë thirrur të rinjtë, në përpjekje për të rritur pjesëmarrjen në protestë.
Tubimi në Elbasan zhvillohet në kuadër të protestave kundër qeverisë që janë shtrirë edhe në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, ku qytetarë dhe të rinj kanë dalë në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pavarësisht pjesëmarrjes së kufizuar, protestuesit në Elbasan kanë vijuar marshimin dhe thirrjet për t’u bashkuar me ta.
