Reperi amerikan, Jay-Z, do të performojë në Super Bowl 2027, i cili do të mbahet më 14 shkurt në stadiumin SoFi, në Inglewood të Kalifornisë, pranë Los Angelesit.
Lajmi është bërë i ditur nga NFL-ja, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e artistit.
“Sekreti u zbulua”, ka shkruar Apple Music në rrjetin social X, duke iu referuar Jay-Z-së si një prej artistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Vetë reperi e ka përshkruar këtë si një rrugëtim të veçantë, duke kujtuar fillimet e karrierës së tij muzikore dhe suksesin që e ka shoqëruar ndër vite.
“Që nga ‘Reasonable Doubt’ deri te performanca në skenën e Super Bowl-it, ky ka qenë një rrugëtim i vërtetë”, ka deklaruar Jay-Z në një komunikatë.
Komisioneri i NFL-së, Roger Goodell, ka theksuar bashkëpunimin e ngushtë të ligës me Jay-Z-në dhe kompaninë e tij Roc Nation gjatë viteve të fundit, duke vlerësuar ndikimin e artistit në zhvillimin e spektakleve muzikore të organizuara nga liga.
Roc Nation bashkëpunon me NFL-në që nga viti 2019, duke këshilluar organizatorët dhe duke ndihmuar në prodhimin e programeve argëtuese.
Përmes këtij partneriteti, Jay-Z ka pasur rol në përzgjedhjen e artistëve që janë ngjitur në skenën e Super Bowl-it mes tyre Shakira, Jennifer Lopez, The Weeknd, Kendrick Lamar dhe Bad Bunny.
Një detaj interesant është se, kur nisi bashkëpunimi me NFL-në, Jay-Z i kishte thënë Goodell-it se mund ta përfundonin menjëherë bisedën nëse qëllimi ishte që ai vetë të performonte në Super Bowl.
Shtatë vjet më vonë, reperi do të jetë pjesë e kësaj ngjarjeje, duke shënuar një tjetër kapitull në karrierën e tij.
Njoftimi vjen vetëm pak ditë pasi Jay-Z përfundoi turneun ‘JAY-Z30 pikërisht në stadiumin SoFi’.
Roc Nation do të jetë producent ekzekutiv i spektaklit, teksa regjinë do ta realizojë Hamish Hamilton.
