Manchester United ka marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e Michael Carrickut, të paktën për ndeshjen e ardhshme ndaj Chelseat.
Humbja e rëndë 3-0 ndaj Bournemouthit në “Old Trafford”, të dielën, ka shtuar presionin mbi trajnerin anglez, në një periudhë kur rezultatet e skuadrës nuk kanë qenë në nivelin e pritur. Pas këtij disfati, shumë tifozë besonin se Carrick mund ta kishte drejtuar për herë të fundit Unitedin.
Megjithatë, sipas The Athletic, drejtuesit e klubit kanë vendosur t’i japin edhe një mundësi për ta kthyer situatën në favor të skuadrës. Carrick ka drejtuar stërvitjen në Carrington dhe do të jetë në krye të ekipit për përballjen e radhës ndaj Chelseat.
Ende nuk dihet nëse kjo ndeshje do të jetë shansi i fundit për trajnerin anglez, apo nëse ai do të ketë kohë deri në pushimin e ardhshëm të kombëtareve, nga 9 deri më 17 nëntor, për të shpëtuar të ardhmen e tij në “Old Trafford”.
Ndërkohë, vendimi për ta mbajtur Carrickun në detyrë, të paktën për momentin, i zbeh mundësitë për një emërim të menjëhershëm të trajnerëve që janë përmendur si kandidatë të mundshëm për postin e tij.
Antonio Conte, Eddie Hoëe dhe Julian Nagelsmann janë lidhur së fundmi me stolin e Manchester Unitedit, por për momentin klubi ka zgjedhur të vazhdojë me Carrickun.
Ndeshja ndaj Chelseat mund të jetë vendimtare për të ardhmen e tij, ndërsa mbetet të shihet nëse trajneri do të arrijë ta shfrytëzojë këtë mundësi për të ndryshuar rrjedhën e rezultateve.
