Përplasje mes protestuesve dhe policisë pas aksidentit fatal hekurudhor

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Madrid, 29 tetor, Zhurnal.mk – Protestues të shumtë u përplasën dje në mbrëmje vonë me policinë spanjolle, pas një aksidenti fatal të një treni me shpejtësi të lartë, i cili u mori jetën të paktën 68 personave.

Grupe të ekstremit të djathtë bënë thirrje për protestë para Ministrisë së Transportit, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë lidhur me këtë aksident.

Sipas transmetuesit TVE, në protestë morën pjesë rreth 1 500 persona, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Të paktën 68 persona humbën jetën dhe rreth 50 të tjerë mbetën të plagosur rëndë nga përplasja e trenave.

Ministri i Transportit, Óscar Puente, e vuri theksin te një vendim “i pashpjegueshëm” i kontrollorëve hekurudhorë, të cilët lejuan njërin prej trenave të vazhdonte lëvizjen pavarësisht një defekti në sistemin e sigurisë.

Përplasja ndodhi pak para orës 09:00 (08:00 GMT) pranë Urdas, rreth 130 kilometra në jug të Madridit.

Aksidenti ndodhi kur një tren i kompanisë private hekurudhore “Iryo”, i cili ishte i ndaluar, u godit nga pas nga një tren i kompanisë shtetërore hekurudhore “Renfe”.

Dy vagonë ​​të trenit “Iryo” dhe një vagon i trenit “Renfe” dolën nga shinat dhe ranë poshtë një argjinature hekurudhore.

Puente deklaroi se një hetim do të duhet të përcaktojë nëse shkaku ka qenë gabimi njerëzor.

artikuj të ndërlidhura