Çfarë mesazhe na dha Brukseli përmes raportit të KE-së?

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 nëntor, Zhurnal.mk – Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut nuk sjell surpriza, por konfirmon në mënyrë të dhimbshme atë që qytetarët e ndjejnë prej vitesh. Dokumenti evidenton mungesën e progresit në ndryshimet kushtetuese, ndërhyrjet politike në gjyqësor, korrupsionin e përhapur, pasojat e ndryshimeve të diskutueshme në Kodin Penal, polarizimin politik dhe vonesën e reformave kyçe. Në vend që të afrohet me grupin e vendeve që po avancojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Maqedonia e Veriut po mbetet peng i problemeve të brendshme që vazhdojnë të përsëriten nga raporti në raport. Ajo që e bën më shqetësues këtë dokument është fakti se shumica e kritikave nuk janë të reja. Përkundrazi, ato janë rikthyer edhe këtë vit, duke dëshmuar se institucionet kanë dështuar të adresojnë dobësitë strukturore që prej kohësh frenojnë zhvillimin demokratik dhe integrimin evropian të vendit, shkruan Zhurnal.

Ndryshimet kushtetuese pengesa që po e largon vendin nga BE-ja

Mesazhi më i drejtpërdrejtë i Brukselit lidhet me mungesën e progresit për ndryshimet kushtetuese. Komisioni Evropian konstaton se nuk janë ndërmarrë hapa konkretë për përmbushjen e obligimit të pranuar në Kornizën Negociuese, duke e lënë vendin jashtë grupit të shteteve që po avancojnë me ritme të përshpejtuara drejt anëtarësimit.

Kjo tregon se klasa politike vazhdon ta trajtojë procesin eurointegrues si instrument për përplasje të brendshme partiake, në vend që ta shohë si projekt strategjik shtetëror.

Ndërhyrjet politike në gjyqësor janë alarmi më serioz i raportit

Një nga pjesët më të rënda të raportit lidhet me gjyqësorin. Komisioni Evropian shpreh shqetësim serioz për deklaratat e politikanëve të lartë që kanë folur për “pastrimin” e gjykatave dhe prokurorisë.

Sipas Brukselit, kritikat personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe retorika për spastrime në sistemin e drejtësisë, përbëjnë ndikim të palejuar dhe formë frikësimi ndaj institucioneve që duhet të jenë të pavarura.

Ky vlerësim është tregues se, pavarësisht retorikës për reforma, kultura politike vazhdon ta konsiderojë drejtësinë si hapësirë për ndikim politik dhe jo si pushtet të pavarur.

Korrupsioni mbetet plagë e hapur

Raporti konfirmon se korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur dhe një ndër problemet më serioze të shtetit. Edhe pse hapen hetime dhe ngrihen aktakuza, rastet e profilit të lartë vazhdojnë të zvarriten për vite të tëra.

Komisioni Evropian veçon faktin se shumë procese gjyqësore për korrupsion të nivelit të lartë përballen me vonesa të gjata dhe në disa raste i afrohen afateve të parashkrimit. Kjo krijon perceptimin se zyrtarët e fuqishëm arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë ligjore.

Në thelb, Brukseli po sinjalizon se lufta kundër korrupsionit vazhdon të prodhojë më shumë deklarata sesa rezultate konkrete.

Kodi penal dhe kultura e pandëshkueshmërisë

Një tjetër kritikë e përsëritur ka të bëjë me Kodin Penal. Sipas raportit, legjislacioni aktual ende nuk garanton ndëshkueshmëri të mjaftueshme për veprat që lidhen me korrupsionin dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare.

Prej disa vitesh ekziston bindja edhe brenda opinionit publik se ndryshimet në Kodin Penal kanë kontribuar në dobësimin e mekanizmave për ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë. Raporti i KE-së e forcon këtë shqetësim duke nënvizuar se sistemi vazhdon të prodhojë perceptim të pandëshkueshmërisë.

Kriza e burimeve njerëzore në drejtësi

Një nga detajet më alarmante është anulimi i konkursit për 130 kandidatë në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore.

Ky nuk është vetëm problem administrativ. Ai tregon mungesë vizioni për të ardhmen e sistemit gjyqësor. Nëse nuk investohet në kuadro të reja, atëherë nuk mund të pritet as modernizim e as rritje e efikasitetit të drejtësisë.

Të drejtat e shqiptarëve dhe përfaqësimi adekuat

Raporti trajton edhe çështjet ndëretnike, duke vlerësuar se stabiliteti në përgjithësi është ruajtur dhe se Marrëveshja Kornizë e Ohrit vazhdon të jetë bazë e rëndësishme e bashkëjetesës.

Megjithatë, Brukseli evidenton debatet e vazhdueshme për të drejtat gjuhësore dhe mungesën e progresit për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat. Kjo tregon se disa prej çështjeve themelore që lidhen me barazinë institucionale ende nuk kanë marrë zgjidhjen e nevojshme.

Kujtojmë që, për vite me radhë elitat politike kanë tentuar ta paraqesin ngecjen evropiane si pasojë ekskluzive e mosmarrëveshjeve me fqinjët. Mirëpo raporti i Komisionit Evropian dëshmon se problemet kryesore gjenden brenda vetë sistemit.

Nga korrupsioni dhe ndërhyrjet në gjyqësor, te mungesa e reformave, polarizimi politik dhe dështimi për të ndërtuar institucione funksionale, raporti paraqet një diagnozë të qartë të një shteti që prej vitesh po qëndron në vendnumëro. Mesazhi i Brukselit është i qartë pengesa më e madhe për integrimin evropian nuk janë vetëm kushtet e jashtme, por mungesa e vullnetit për reforma të vërteta brenda vendit. Dhe derisa këto probleme të mbeten të pazgjidhura, raportet e ardhshme rrezikojnë të përsërisin të njëjtat kritika, ndërsa perspektiva evropiane të largohet gjithnjë e më shumë. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura