Shkup, 5 nëntor, Zhurnal.mk – Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në kuadër të vizitës së punës në Bruksel, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të diasporës në Belgjikë.
“Të pranishmit ndanë përvojat e tyre nga jeta dhe puna në Belgjikë, duke theksuar nevojën për komunikim të vazhdueshëm dhe lidhje më të forta me institucionet e Maqedonisë”, njoftoi Kabineti i presidentes.
Siljanovska-Davkova ka theksuar se distanca gjeografike nuk nënkupton edhe largim shpirtëror nga atdheu, pasi njeriu mund të largohet fizikisht nga vendi i tij, por vendi nuk largohet prej tij.
Ajo ka theksuar se lidhjet me diasporën duhet të kultivohen, të zgjerohen dhe të thellohen, pavarësisht prejardhjes etnike, gjuhës apo gjeneratës së cilës i përkasin emigrantët.
Një pjesë e të pranishmëve kanë shprehur gatishmërinë që, përmes projekteve të ndryshme, t’i ndajnë njohuritë dhe përvojat e fituara me qytetarët e Maqedonisë, si dhe ekspertizën dhe kontaktet e tyre profesionale t’i vënë në funksion të avancimit të shkëmbimit tregtar dhe shfrytëzimit më efikas të fondeve evropiane.
Nga Kabineti i presidentes shtojnë se ajo ka theksuar se diaspora nuk duhet të jetë vetëm vëzhguese e proceseve shoqërore, por partnere aktive dhe e barabartë në formësimin e tyre, përmes ndërlidhjes institucionale, shkëmbimit të njohurive dhe përvojave, si dhe pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në hartimin e politikave.
