Prishtinë, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Ish-presidentja e Kosovës, aktualisht deputete e LDK-së, Vjosa Osmani, është nderuar me çmimin “Global Diplomacy Award”, në një ceremoni të organizuar në Turqi nga organizata “Global Journalism Council”.
Në këtë ngjarje morën pjesë mbi 350 pjesëmarrës nga 32 shtete të ndryshme të botës.
Përmes një postimi, Osmani ka shprehur mirënjohjen për këtë vlerësim, duke theksuar se diplomacia e vërtetë ndërton ura dhe qëndron në anën e drejtësisë.
Ajo bëri të ditur se çmimin ia dedikon popullit të Kosovës, duke kujtuar sakrificën e tij për liri, si dhe presidentit historik Ibrahim Rugova, të cilin e cilësoi si themeltar të Republikës së Kosovës dhe figurë që promovoi rëndësinë e aleancave dhe miqësive ndërkombëtare.
Osmani gjithashtu ia kushtoi këtë çmim gazetarëve që raportuan gjatë luftës në Kosovë, duke vlerësuar guximin e tyre në dokumentimin e së vërtetës dhe kontributin në shpëtimin e jetëve.
“Gazetaria e guximshme nuk është vetëm dëshmi e historisë, por edhe mbrojtje e jetës dhe e njerëzimit”, ka shkruar Osmani.

