Shkup, 11 nëntor, Zhurnal.mk – Inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi do t’i avancojnë prokurimet publike dhe do t’i ulin rreziqet nga korrupsioni, pohon deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski.
“Pikërisht me këtë amendament propozojmë që neni 13 të fshihet dhe amendamenti propozohet në lidhje me vërejtjet e Presidentes së Republikës. Ky ligj sillet drejtpërdrejt për shkak të kushteve të reja të krijuara në botë pas realitetit gjeopolitik dhe për shkak se kushtet aktuale të ligjit janë jofunksionale. Ky ligj është ndryshuar disa herë që nga koha kur kjo shumicë qeverisëse është në Kuvend dhe herën e kaluar për herë të parë në histori u përdor instrumenti i kontrollit antikorrupsion, ndërsa gjithçka që Komisioni Antikorrupsion e dorëzoi në Kuvend, ne e pranuam dhe e përfshimë. Kështu që me fshirjen e këtij neni i pranojmë plotësisht dekretet e Presidentes dhe konsiderojmë se ky ligj pa pengesa mund të vazhdojë procedurën e tij për t’u miratuar dhe ta lehtësojmë sistemin, ta bëjmë më praktik, më ligjor, më transparent dhe më funksional për të gjithë administratën shtetërore”, tha Bojan Stojanoski, deputet nga radhët e VMRO-DPMNE-së në seancën e sotme të Kuvendit.
Stojanoski theksoi se ndryshimet në Ligjin për Prokurimet Publike janë pjesë e Agjendës Reformuese dhe kanë për qëllim avancimin e sistemit përmes vendosjes së mjeteve digjitale dhe inteligjencës artificiale, me ç’rast do të përmirësohet procesi i prokurimeve publike, do të ulen rreziqet nga korrupsioni dhe keqpërdorimet dhe do të nxitet realizimi i projekteve infrastrukturore dhe projekteve të tjera.
“Ky ligj është pjesë e Agjendës Reformuese, aktivitet që duhet të zbatohet. Plotësohen kompetencat e Byrosë për Prokurime Publike në pjesën e mjeteve digjitale dhe inteligjencës artificiale si instrumente për përmirësimin e procesit të prokurimeve publike dhe uljen e rreziqeve nga korrupsioni dhe keqpërdorimet e tjera. Pse në fund të ditës sillet ky ligj? Që të nxitet realizimi i projekteve dhe ky shtet të ecë përpara. Ja, ky është Enti Shtetëror i Statistikave për ndërtimtarinë. Këtu mund të shihni krahasimin ndërmjet 29 tremujorëve të LSDM-së dhe 8 të VMRO-DPMNE-së, tani të shihni cili është dallimi dhe pse po ndryshohet ky ligj. Kur t’i mbledhni të gjithë 29 tremujorët e LSDM-së, 14 janë negativë, 15 pozitivë, ndërsa VMRO-DPMNE, 8 tremujorë, 8 pozitivë. Plus 14,1 për qind rritje mesatare tremujore reale në ndërtimtari, ndërsa LSDM në 29 tremujorë minus 0,2. Ka inteligjencë artificiale, ka harmonizim me Planin e Rritjes dhe në fund të ditës ka gjëra logjike që do ta përmirësojnë sistemin e shpalljes së tenderëve për prokurime publike”, është i prerë Stojanoski.

