1350 masa administrative në Dibër për shkelje rrugore, dy të arrestuar

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 11 nëntor, Zhurnal.mk – Policia Rrugore në Dibër ka vendosur 1350 masa administrative gjatë javës së parë të nëntorit, ndërsa dy drejtues mjetesh janë arrestuar për drejtim të automjetit në gjendje të dehur dhe një tjetër është proceduar penalisht për drejtim pa leje.

Sipas Policisë së Shtetit, rezultatet janë arritur në kuadër të monitorimeve dhe kontrolleve intensive në të gjitha akset rrugore të qarkut, përmes përdorimit të dronëve, radarëve dhe makinave inteligjente.

Kontrollet janë përqendruar në evidentimin e parakalimeve të gabuara, drejtimin e automjeteve nën efektin e alkoolit ose pa leje drejtimi, përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, si dhe shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Nga 1350 masat administrative të vendosura, shkeljet më të shpeshta kanë qenë parakalimet e gabuara, ndalimi dhe qëndrimi i parregullt i automjeteve, drejtimi nën efektin e alkoolit dhe përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit.

Policia Rrugore e Dibrës bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset e qarkut, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Njëkohësisht, u bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve.

artikuj të ndërlidhura