Shkup, 11 nëntor – Pas vitesh përgatitjesh, Maqedonia e Veriut po hyn në një fazë të re të reformës së legjislacionit të saj penal, por një nga pyetjet më të ndjeshme mbetet pa përgjigje – si rregullon teksti i ri përgjegjësinë për abuzim me detyrën zyrtare dhe nëse politika penale ndaj zyrtarëve është shtrënguar. Ministria e Drejtësisë ia ka dërguar Komisionit Evropian për mendim draftin e Kodit të ri Penal dhe projektligjin për procedurën penale. Ideja është që ky ligj të jetë i pranueshëm dhe në përputhje me rekomandimet e BE-së, shkruan “Zhurnal.mk”.
Kodi i ri penal, do të ashpërsojë dënimet për keqbërësit
Me ndryshimet e shtatorit 2023, Parlamenti uli dënimet për disa forma të abuzimit me pozicionin zyrtar dhe për shoqatat kriminale. Gjithashtu u hoq edhe dispozita e veçantë për abuzimet në prokurimin publik. Dënimet më të ulëta shkurtuan afatin e parashkrimit për disa vepra penale.
Në janar 2026, Parlamenti rifuti një dispozitë të veçantë mbi prokurimin publik në nenin 353. Ai mbulon dy veprime. E para është prokurimi pa procedurë kur kërkohet me ligj, dhe e dyta është ndryshimi i paligjshëm i një kontrate ose marrëveshjeje kornizë mbi pragun e vlerës së përcaktuar. Këto veprime dënohen me burgim nga një deri në tetë vjet, dhe nëse përfitohet përfitim material ose shkaktohet dëm në shkallë të gjerë, nga katër deri në dhjetë vjet.
Komisioni Evropian vlerësoi se ndryshimet e janarit lanë pasiguri ligjore dhe se dispozita mbi prokurimin publik ishte shumë e ngushtë për të mbuluar manipulime të tjera serioze në procedurat e tenderimit. Sipas Komisionit, rastet e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdojnë të zvarriten dhe shpesh parashkruhen.
Çfarë parashikon Kodi i ri Penal!
Me ndryshimet e reja, parashikohet që të përfshihen kriptovalutave dhe mjeteve virtuale në përkufizimin e pasurisë, duke mundësuar konfiskimin e tyre, si dhe sekuestrimin e pasurisë së transferuar te familjarët dhe personat e tjerë.
Gjithashtu janë bërë rregullime ku veprat penale nga fusha e dhunës në familje ndiqen penalisht edhe pa pasur nevojë domosdoshmërisht për propozim të veçantë nga ana e viktimës.
Ndërkohë që pritet një Kod i ri i plotë Penal për reformimin e gjithë sistemit, partitë politike dhe grupet punuese vazhdojnë të propozojnë ndryshime të shpejta që prekin pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, por që shpesh lënë jashtë korigjimeve pikat më kritike për funksionarët.
Çfarë kërkon Komisioni Evropian!
Të dy tekstet janë pjesë e Agjendës së Reformës. Projektligji i Kodit Penal përfshin 33 direktiva të BE-së. Projektligji i Procedurës Penale propozon ndryshime në hetimet financiare, konfiskimin, përdorimin e provave elektronike dhe mbrojtjen e viktimave. Ai gjithashtu parashikon mundësinë e mbajtjes së seancave dëgjimore dhe marrjes së provave nga distanca.
Problemi nuk është zgjidhur as me ndërhyrjet e bëra në janar të këtij viti. Raporti i fundit i Komisionit arrin në përfundimin se këto ndryshime nuk i kanë hequr pasojat negative të vendimeve të vitit 2023 dhe kanë kontribuar në pasigurinë ligjore.
Komisioni Evropian në të njëjtin dokument bën përsëri thirrje për miratimin e një Kodi të ri Penal dhe një Ligji të ri të Procedurës Penale në përputhje me ligjin evropian dhe standardet ndërkombëtare. Vlerësimi është veçanërisht i ashpër në fushën e korrupsionit: Komisioni nuk ka regjistruar asnjë përparim, rastet e profilit të lartë vazhdojnë të vonohen dhe disa prej tyre kanë arritur afatin e parashkrimit.
Vetëm gjashtë ditë para se drafti të dërgohej në Bruksel, Komisioni Evropian publikoi Raportin e vitit 2026 për Maqedoninë e Veriut. Ai thotë se korrupsioni mbetet i përhapur dhe një shqetësim serioz, dhe Komisioni kërkon në mënyrë të qartë një Kod të ri Penal dhe një Ligj të ri të Procedurës Penale.
Në këtë kontekst, dërgimi i teksteve në Komisionin Evropian është një hap i rëndësishëm procedural, por nuk është fundi i reformës. Mendimi nga Brukseli, korrigjimet e mundshme, publikimi i teksteve dhe procedura parlamentare ende nuk kanë treguar se çfarë do të thotë realisht kuadri i ri i së drejtës penale.
Kodi i ri Penal do të jetë i rëndësishëm jo sepse vjen pas tre dekadash, por nëse krijon rregulla që e bëjnë llogaridhënien për korrupsionin dhe abuzimin me detyrën të qartë, të zbatueshme dhe të barabartë për të gjithë. Prandaj, pika tjetër e rëndësishme nuk është fakti që dokumenti ka mbërritur në Bruksel, por se çfarë ndëshkimesh parashikohen dhe nëse ligji i ri i rregullon vërtet dobësitë që Komisioni Europian ka theksuar për disa vite, shkruan “Zhurnal.mk”.

