Shkup,, 11 nëntor, Zhurnal.mk – Kryeministri sot në seancën mbikëqyrëse paraqiti një gënjeshtër brutale se Qeveria e LSDM-së kishte marrë vendim për hyrjen e Alta Bankës, deklaroi kryetari i LSDM-së, dr. Venko Filipçe, në konferencën e sotme për media.
“Dëshmitari i parë në seancën mbikëqyrëse ishte Hristijan Mickoski, por kur nuk ka përgjigje, ai manipulon dhe gënjen. Kryeministri sot në seancën mbikëqyrëse paraqiti një gënjeshtër brutale se Qeveria e LSDM-së kishte marrë vendim të hyjë në marrëdhënie afariste me Alta Banka Serbia”, tha Filipçe.
Filipçe theksoi se Qeveria e LSDM-së nuk kishte dhënë pëlqim për shitjen e aksioneve që i posedonte Ministria e Financave, por se Macura kishte marrë pëlqim nga Bosnja dhe Hercegovina. Krejtësisht në kundërshtim me gënjeshtrat e Mickoskit, Qeveria e LSDM-së i kishte mbrojtur interesat shtetërore dhe interesin e qytetarëve dhe nuk kishte hyrë në marrëdhënie me Alta Bankën.
“Davor Macura nga Qeveria jonë, e LSDM-së, nuk mori leje për t’i blerë aksionet që janë në pronësi të Ministrisë së Financave. Por ai mori leje nga Bosnja dhe Hercegovina dhe në këtë mënyrë fitoi mbi 90 për qind të aksioneve në Alta Bankën e Beogradit. Kjo, sipas ligjeve serbe, i dha mundësinë t’i blejë edhe aksionet e mbetura”, deklaroi Filipçe.
Ndërkaq, Filipçe theksoi se më 24 tetor 2023, Qeveria e atëhershme kishte miratuar një përfundim, të cilin Mickoski sot e paraqiti si vendim për vendosjen e marrëdhënieve afariste me Alta Bankën, por me të cilin në fakt ishte mbrojtur interesi shtetëror, përkatësisht ishte angazhuar Avokatura Shtetërore për t’i mbrojtur interesat e Maqedonisë në Serbi.
“Ja vendimi, përfundimi nga mbledhja e Qeverisë për angazhimin e Avokaturës Shtetërore si organ që mbron interesin shtetëror, që të hyjë në komunikim me institucionet serbe, me qëllim mbrojtjen e interesit shtetëror të Maqedonisë”, tha Filipçe.

