Shkup, 11 nëntor, Zhurnal.mk – Asociacioni i Shoqërive për Menaxhimin e Fondeve Pensionale (ADPF) sot bëri thirrje që çdo propozim për reformë të sistemit pensional të shqyrtohet në një debat të hapur profesional dhe të vlerësohet sipas efekteve që do të ketë mbi anëtarët dhe mbi qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit. Në konferencën për media, ADPF prezantoi qëndrimet e saj lidhur me kthimet afatgjata të fondeve pensionale, të drejtat e anëtarëve mbi mjetet në llogaritë individuale dhe nevojën për modernizimin e kornizës investuese.
Kësaj i parapriu një tryezë e rrumbullakët profesionale e organizuar në dy panele. Në të, rreth dhjetë ekspertë vendorë nga fusha e ekonomisë, financave dhe sigurimit pensional, së bashku me anëtarë të bordeve drejtuese të shoqërive pensionale, diskutuan për sfidat aktuale dhe të ardhmen e sistemit pensional në Maqedoni.
“Konsiderojmë se çdo propozim për ndryshim duhet të jetë objekt i një debati të argumentuar dhe të hapur profesional, me një vlerësim të kujdesshëm të pasojave për anëtarët dhe për funksionimin e sistemit. Si asociacion, jemi të gatshëm të kontribuojmë në një debat të tillë me përvojën tonë dhe me informacione relevante”, deklaroi Marijan Nikollovski, kryetar i ADPF-së.
Nikollovski theksoi se interesi i shtuar publik dhe njoftimet për reforma hapin pyetje konkrete te anëtarët. Që ata të mund t’i kuptojnë rezultatet e fondeve, është e rëndësishme të dinë se për cilën periudhë bëhet fjalë në çdo kthim të publikuar, si është llogaritur ai dhe çfarë do të thotë për kursimet e tyre pensionale.
“Kursimet pensionale duhet të vlerësohen përmes prizmit të një horizonti afatgjatë investues, duke pasur parasysh kthimin e realizuar, strategjinë investuese dhe rrezikun e marrë përsipër. Kthimi real tregon se si ndryshon fuqia blerëse e kursimeve”, theksoi Vesna Stojanovska, zëvendëskryetare e ADPF-së.
Stojanovska ilustroi dallimin ndërmjet kthimit nominal dhe atij real me një shembull të një pagese të vetme prej 10.000 denarësh të investuar për një periudhë prej njëzet vitesh. Me një kthim vjetor nominal prej 5,5 për qind, shuma do të arrinte rreth 29.200 denarë. Me një kthim real vjetor prej 2,3 për qind, vlera e saj, e shprehur në fuqinë blerëse të momentit të pagesës, do të ishte rreth 15.800 denarë. Kjo do të nënkuptonte rritje të fuqisë blerëse për afërsisht 58 për qind.
Stojanovska theksoi se inflacioni, rritja e normave të interesit dhe trazirat gjeopolitike pas vitit 2021 reflektuan mbi vlerën e obligacioneve dhe aksioneve, e rrjedhimisht edhe mbi kthimet e fondeve pensionale. Në këtë drejtim, ajo u angazhua për modernizimin e rregullativës që do t’u mundësonte fondeve zgjedhje më të gjerë të instrumenteve për diversifikim, duke përfshirë edhe obligacione të indeksuara sipas inflacionit, duke ruajtur njëkohësisht standardet e larta të sigurisë, transparencës dhe kontrollit të rrezikut.
Snezhana Stankoviq theksoi se gjatë dy dekadave të fundit, sigurimi pensional me financim kapital ka krijuar kursime pensionale në llogari personale, ku anëtarët mund të ndjekin gjendjen e mjeteve, kontributet e paguara dhe kthimin e realizuar. Ajo nënvizoi rëndësinë e pronësisë personale mbi mjetet, mundësinë e trashëgimisë sipas kushteve të përcaktuara me ligj dhe lidhjen ndërmjet kontributeve të paguara dhe mjeteve që akumulohen për pleqëri.
“Llogaritë individuale dhe të drejtat e anëtarëve duhet të jenë në fokus të reformave. Vetëm me një koncept të qartë dhe strategji afatgjatë mund të sigurojmë njëkohësisht mbrojtje për më të rrezikuarit dhe të ruajmë besimin e atyre që prej vitesh kontribuojnë në sistem. Një hap përpara paraqet rregullativa e re ligjore për multifondet, e cila tashmë është në procedurë parlamentare”, tha Snezhana Stankoviq.
Ajo u angazhua për një ndarje të qartë ndërmjet komponentit pensional dhe atij social, me rregulla të parashikueshme dhe qëndrueshmëri financiare për të dyja.
ADPF shprehu gatishmëri të fuqishme për të kontribuar në debatin e mëtejmë profesional, publik dhe shoqëror me të dhëna dhe me përvojën e shoqërive pensionale në menaxhimin e mjeteve të anëtarëve.
“Mbetemi të përkushtuar të marrim pjesë në një diskutim profesional dhe të argumentuar për sistemin pensional në tërësi. Në qendër të atij diskutimi duhet të jenë anëtarët, interesat e tyre dhe pasojat e çdo ndryshimi të propozuar”, theksojnë nga Asociacioni.
Në konferencën për media morën pjesë edhe Tatjana Bojkovska, sekretare e Asociacionit, Tihomir Petreski dhe Ivan Stojanoviq.

