Bytyqi ndaj Koçoskës: A ka dhënë pushteti udhëzime që paratë publike të orientohen drejt “Alta Bankës”?

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 nëntor, Zhurnal.mk – Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, në seancën e sotme mbikëqyrëse për arsyet e vendosjes së administrimit në “Alta Banka” SHA Manastir, rolin dhe veprimin e Bankës Popullore si dhe përgjegjësinë institucionale, drejtoi një sërë pyetjesh ndaj ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, duke vënë theksin te përgjegjësia e Qeverisë për veprimet e lidhura me marrjen e bankës dhe disponimin e aksioneve të institucioneve publike.

Bytyqi theksoi se dështimet institucionale, korrupsioni dhe keqpërdorimi i pushtetit politik bëhen një problem serioz kur interesi publik vihet në plan të dytë.

“Dështimet institucionale pushojnë së qeni përjashtim, ndërsa privilegjet bëhen rregull dhe interesi publik e humb betejën me pushtetin politik autoritar kur ai keqpërdoret. Dhe këtu sot do të flas jo për një vlerësim subjektiv, por për atë që jua thotë edhe Komisioni Evropian, e ajo është se kjo Qeveri nuk po përballet dhe aspak nuk dëshiron të përballet me korrupsionin”, theksoi Bytyqi.

Bytyqi theksoi se rasti me “Alta Bankën” hap pyetje serioze nëse institucionet i kanë identifikuar me kohë rreziqet dhe nëse Qeveria ka vepruar në përputhje me interesin publik.

“Dhe pikërisht për këtë, në këtë kontekst korruptiv dhe dekadent, rasti ‘Alta’ kërkon një përgjigje serioze në pyetjen nëse sistemi në të cilin ju merrni pjesë dhe mbani përgjegjësi i ka njohur me kohë rreziqet”, tha Bytyqi.

Bytyqi iu referua një kronologjie konkrete dhe veprimeve të dokumentuara qeveritare, duke theksuar se më 1 shtator 2025, Banka Popullore kishte dhënë pëlqim për marrjen e Stopanska Banka Manastir nga “Alta Banka”, ndërsa më 23 shtator 2025, Qeveria kishte miratuar tre konkluzione të lidhura me ofertën për aksionet e 16 institucioneve publike.

“T’i kthehemi fakteve. Guvernatori tha se vitin e kaluar janë blerë aksionet. Më 1 shtator 2025, Banka Popullore dha pëlqim për marrjen e Stopanska Banka Manastir nga ‘Alta Banka’. Më 23 shtator, vetëm 25 ditë para zgjedhjeve, me propozimin tuaj personal, në kuadër të pyetjeve dhe propozimeve, Qeveria solli tre konkluzione për ofertën e ‘Alta Bankës’, të cilat përfshinin aksionet e 16 institucioneve publike.

I pari parashikonte shqyrtimin e ofertës, ndërsa i dyti, nëse nuk kishte pengesa ligjore, dorëzimin e një deklarate me shkrim për pranimin e saj më së voni deri më 10 tetor, nëntë ditë para zgjedhjeve”, theksoi Bytyqi.

Ai nënvizoi se bëhet fjalë për fakte të përfshira në procesverbalin e Qeverisë, duke vënë në pikëpyetje deklaratën e ministres se nuk ishte konsultuar për hyrjen e “Alta Bankës”.

“Ministre, kjo nuk është interpretim politik, kjo është përmbajtje e një procesverbali qeveritar, ndërsa ju më pas pretendonit se nuk keni qenë e konsultuar për hyrjen e bankës. Ndoshta nuk keni qenë e përfshirë në procedurën rregullatore. Por roli juaj në konkluzionet e Qeverisë është i dokumentuar në mënyrë faktike”, theksoi Bytyqi.

Për më tepër, ai ngriti çështjen e ekspozimit të institucioneve publike dhe ndërmarrjeve publike ndaj “Alta Bankës”, duke theksuar se gjashtë ndërmarrje publike nga Manastiri kishin raportuar 13,4 milionë denarë të depozituara në bankë.

Bytyqi kërkoi nga ministrja përgjigje konkrete për numrin dhe vlerën e aksioneve të shitura, mënyrën e përcaktimit të çmimit dhe vlerësimin mbi bazën e të cilit janë marrë vendimet.

“Dhe për këtë arsye pyes: sa aksione shitën realisht këto 16 institucione, me çfarë çmimi dhe mbi bazën e çfarë vlerësimi? Pse në të gjithë procesin nuk është përfshirë Avokatura Shtetërore, ndërsa kjo kompetencë i është dhënë Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë? Dhe a ka ndodhur që pas marrjes së bankës, ndonjëri nga kabinetet politike të ketë dhënë udhëzime ose rekomandime që mjetet publike të orientohen drejt kësaj banke?”, pyeti Bytyqi.

artikuj të ndërlidhura