Arrestimet në Serbi, mediat: Biznesmeni serb me ndikim në veri të Kosovës, Zvonko Veselinoviçi, largohet drejt Turqisë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Zvonko Veselinoviç, i cilësuar si një prej figurave më me ndikim në veri të Kosovës, raportohet se është larguar këtë mëngjes drejt Turqisë, në një kohë kur në Serbi po zhvillohen arrestime të biznesmenëve dhe zyrtarëve të lidhur me pushtetin e mëparshëm dhe Partinë Progresive Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiçit.

Lajmi është bërë i ditur nga media hulumtuese serbe KRIK, e cila citon burimet e veta. Sipas këtyre burimeve, Veselinoviçi ka udhëtuar në orët e para të mëngjesit me një fluturim nga Sarajeva drejt Stambollit, duke përdorur pasaportë serbe.

Largimi i tij raportohet në një periudhë kur autoritetet serbe kanë ndërmarrë arrestime ndaj disa biznesmenëve dhe zyrtarëve, të cilët, sipas raportimeve të KRIK-ut, kanë pasur lidhje të ngushta me strukturat e pushtetit gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiçit.

KRIK e përshkruan Veselinoviçin si një nga figurat me ndikim në veri të Kosovës, me lidhje në nivelet më të larta të politikës serbe, përfshirë Andrej Vuçiçin, vëllain e Aleksandar Vuçiçit.

Lidhjet me Andrej Vuçiçin dhe pushtetin në Serbi

KRIK rikthen në vëmendje lidhjet e Veselinoviçit me Andrej Vuçiçin. Mediumi hulumtues ka publikuar më herët fotografi ku të dy shfaqen në një takim në një restorant në Kopaonik, në vitin 2015.

Po ashtu, në komunikimet e platformës së enkriptuar “Sky”, të publikuara nga KRIK, emri i Veselinoviçit përmendet në përpjekjet për të ndikuar në emërimet brenda policisë serbe, si dhe në ndarjen e kontratave shtetërore me vlerë miliona euro.

Sipas analizës së këtyre komunikimeve nga KRIK, Veselinoviçi kishte marrëdhënie me figura të fuqishme të SNS-së dhe ishte përfshirë në përpjekjet për të ndikuar në emërimin e drejtuesve të policisë.

I sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe

Veselinoviçi është vendosur nën sanksione nga Thesari amerikan në dhjetor të vitit 2021, së bashku me Milan Radoiçiçin.

SHBA-ja i kishte lidhur këto sanksione me dyshimet për korrupsion, ndikim mbi zyrtarët publikë dhe përfitime nga kontratat shtetërore përmes praktikave korruptive.

Në dhjetor të vitit 2022, edhe Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj tij, për shkak të përfshirjes së pretenduar në korrupsion serioz.

Dyshimet për veprimtari kriminale në Kosovë

Emri i Veselinoviçit është përmendur ndër vite në raporte të policisë dhe shërbimeve serbe të sigurisë, të publikuara nga KRIK. Në këto dokumente, ai përshkruhej si një figurë e rëndësishme e një grupi të dyshuar për trafik droge, armësh dhe nafte, fajde dhe pastrim parash.

Ai është përballur gjithashtu me disa procedura penale në Serbi, përfshirë akuza për vjedhje kamionësh dhe nxjerrje të paligjshme të rërës dhe zhavorrit.

Një prej çështjeve më të rënda në të cilat është përmendur emri i tij lidhet me vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç, në janar të vitit 2018. Prokuroria e Kosovës e ka përmendur Veselinoviçin në kontekstin e dyshimeve për këtë vrasje, ndërsa në aktakuzë është përfshirë edhe Milan Radoiçiçi.

KRIK rikujton gjithashtu se Turqia është kthyer në një destinacion ku janë strehuar figura të ndryshme të krimit të organizuar nga Ballkani. Në periudha të ndryshme, në këtë vend janë lokalizuar edhe pjesëtarë të klaneve kriminale malazeze, përfshirë Jovan Vukotiçin.

artikuj të ndërlidhura