Akuzat e Gjykatës së Egjiptit janë të pabaza”! FRI paralajmëron padi dhe dëmshpërblime

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 nëntor Zhurnal.mk – Forumi Rinor Islam (FRI) ka reaguar ndaj publikimeve të fundit në media, në të cilat emri i kësaj organizate është ndërlidhur me pretendime që burojnë nga një vendim i Gjykatës Penale të Egjiptit. Përmes një demanti publik, organizata hedh poshtë kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të paverifikuara, shkruan gazeta KOHA.

Në reagimin e saj, FRI shpreh shqetësimin për mënyrën se si emri i organizatës është përfshirë në raportimet mediatike, duke theksuar se përmendja në dokumente të institucioneve të huaja nuk përbën automatikisht dëshmi juridike për përgjegjësinë e një organizate.

“Forumi Rinor Islam shpreh shqetësimin e tij lidhur me publikimet e fundit mediatike, në të cilat emri i organizatës sonë është ndërlidhur me pretendime që burojnë nga një vendim i Gjykatës Penale të Egjiptit, vend i cili njihet ndërkombëtarisht si një shtet me deficit të thellë demokratik, ku të drejtat themelore të njeriut shkelen sistematikisht dhe ku sektori civil i pavarur pothuajse është asgjësuar tërësisht”, thuhet në reagim.

FRI këmbëngul se çdo pretendim që lidhet me identitetin dhe veprimtarinë e saj duhet të mbështetet në dokumentacion zyrtar dhe prova të verifikueshme.

“Hedhim poshtë kategorikisht çdo akuzë dhe ndërlidhje të pabazuar e të pretenduar ndaj organizatës sonë. Theksojmë se përmendja në dokumente të institucioneve të huaja nuk përbën dëshmi juridike se bëhet fjalë për një organizatë që pretendohet nga një vendim i tillë i pa bazë. Një identifikim i tillë kërkon dokumentacion zyrtar dhe verifikim të saktë të identitetit juridik të organizatës”, thekson FRI.

Në reagim, Forumi Rinor Islam thotë se është organizatë qytetare e regjistruar në Maqedoninë e Veriut, e cila, sipas drejtuesve të saj, vepron në përputhje me legjislacionin vendas. “FRI thekson se për më shumë se 25 vjet ka zhvilluar veprimtari publike dhe transparente, të përqendruar në edukimin, zhvillimin e rinisë, kulturën dhe mbështetjen e arsimit”.

Sipas FRI-së, gjatë kësaj periudhe janë realizuar projekte në partneritet me organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, Komisionin Evropian dhe OSBE-në, si dhe me institucione qendrore dhe lokale në vend”.

Në pjesën më të drejtpërdrejtë të reagimit, Forumi Rinor Islam paralajmëron se do të ndërmarrë hapa ligjorë kundër subjekteve për të cilat vërtetohet se kanë përhapur pretendime të pavërteta dhe dëmtuese për organizatën.

“Forumi Rinor Islam do të iniciojë procedura gjyqësore dhe do të kërkojë kompensim të dëmit ndaj çdo subjekti për të cilin vërtetohet përgjegjësia ligjore për përhapjen e pretendimeve të pavërteta dhe dëmtuese në bazë të normativave vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në reagim. Njëkohësisht, organizata u bën thirrje mediave dhe subjekteve të tjera që të tregojnë përgjegjësi profesionale gjatë raportimit, të verifikojnë burimet dhe të shmangin ndërlidhjet e pakonfirmuara që mund të dëmtojnë reputacionin e saj.

“Duke respektuar lirinë e medias dhe të drejtën e informimit, u bëjmë thirrje të gjitha mediave dhe subjekteve të tjera që të tregojnë përgjegjësi profesionale, të verifikojnë burimet dhe të shmangin ndërlidhjet e pakonfirmuara që mund të dëmtojnë padrejtësisht reputacionin e organizatës”, theksohet më tej. Në fund, FRI rithekson përkushtimin ndaj mbrojtjes së të drejtave të njeriut, lirisë së organizimit qytetar dhe integritetit të organizatave që kontribuojnë në arsimimin dhe emancipimin e të rinjve, si dhe në zgjerimin e dialogut ndërkulturor.

artikuj të ndërlidhura