Eurostat/ Bien me 47% kërkesat për azil të shqiptarëve në vendet e BE-së

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 11 nëntor Zhurnal.mk – Kërkesat e shtetasve shqiptarë për azil në vendet e Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen kanë rënë me 47% gjatë dy viteve të fundit.

Franca dhe Gjermania regjistrojnë tkurrjen më të madhe të aplikimeve, ndërsa Italia mbetet destinacioni kryesor për shqiptarët që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare.

Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë vitit 2025 u regjistruan 3 710 kërkesa për azil për herë të parë nga shtetasit shqiptarë, nga afro 7 mijë që ishin në vitin 2023.

Rënia më e fortë është regjistruar në dy prej destinacioneve kryesore të emigrantëve shqiptarë. Në Francë, kërkesat për azil kanë rënë me 67% krahasuar me vitin 2023, ndërsa në Gjermani ulja arrin në 77%.

Italia vijon të jetë vendi me numrin më të lartë të aplikimeve, me 1 390 kërkesa të paraqitura gjatë vitit 2025.

Në të kundërt, Greqia dhe Irlanda kanë shënuar rritje të kërkesave për azil nga shtetasit shqiptarë.
Megjithatë, ulja e numrit të kërkesave për azil nuk nënkupton ndalimin e emigracionit shqiptar drejt vendeve evropiane.

Gjatë viteve 2023–2024, shtetasit shqiptarë përfituan rreth 154 mijë leje të para qëndrimi në vendet e Bashkimit Evropian.

Pothuajse gjysma e këtyre lejeve u dhanë për arsye të bashkimit familjar, ndërsa rreth 29% për motive punësimi.

Ministria e Brendshme ia atribuon uljen e kërkesave të pabazuara për azil masave parandaluese dhe fushatave informuese.

Të dhënat tregojnë se, ndërsa aplikimet për azil janë në rënie, emigracioni shqiptar drejt Evropës vijon përmes formave të rregullta të qëndrimit, kryesisht për bashkim familjar dhe punësim.

artikuj të ndërlidhura