PDK dhe LVV arrijnë marrëveshje: Ligji për Dhomat e Specializuara votohet sot siç është, amendamentimi nis menjëherë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 12 nëntor, Zhurnal.mk – PDK dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë arritur marrëveshje që ligji për Dhomat e Specializuara të votohet sot në Kuvend në përmbajtjen aktuale, ndërsa menjëherë pas votimit të nisë procesi i amendamentimit të tij, raporton Ekonomia Online.

Sipas burimeve të Ekonomia Online, dakordimi parasheh mbivotimin e vetos së Presidentes, duke i hapur rrugë hyrjes së ligjit aktual në fuqi, si dhe nisjen e konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë për ndryshimet konkrete, brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Ligji ishte miratuar në dy lexime më 6 tetor. Më pas, PDK-ja i kishte kërkuar Presidentes kthimin e tij në Kuvend për rishqyrtim, me qëllim përfshirjen e rekomandimeve të fundit të marra nga ekspertët.

Megjithëse PDK dhe LVV kanë arritur pajtim të plotë për përmbajtjen e ndryshimeve, dallimet kanë qenë rreth procedurës. Sipas interpretimit të LVV-së, Rregullorja e Kuvendit nuk lejon amendamentimin në këtë fazë të rishqyrtimit.

Për të shmangur rrezikimin e ligjit për arsye procedurale, palët janë dakorduar që ai të votohet sot ashtu siç është, ndërsa ndryshimet të procedohen menjëherë përmes një nisme për amendamentim.

Me këtë marrëveshje, përfundimisht ligji mbetet, ndërsa hapet rruga që plotësimet e dakorduara të përgatiten dhe të sillen sa më shpejt për miratim në Kuvend.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër