Prishtinë, 12 nëntor, Zhurnal.mk – Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka thënë se Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar duhet të procedohet sërish për miratim në Kuvend, në formën në të cilën është miratuar më parë, pa ndërhyrje të reja, raporotn Ekonomia Online.
Gjatë shqyrtimit në Komisionin për Legjislacion të vendimit të presidentes për kthimin e këtij ligji në rishqyrtim, Deliu ka bërë të ditur se PDK-ja, si sponsorizuese e ligjit, ka zhvilluar negociata me shumicën parlamentare dhe se palët janë dakorduar për kalimin e tij, por jo për amendamentimin në këtë fazë.
Ajo ka thënë se pas rivotimit të versionit aktual të ligjit, do të nisë një proces i ri për amendamentimin e tij, në bashkëpunim me deputetët e Kuvendit.
“Gjatë këtyre ditëve Partia Demokratike e Kosovës, si parti sponsorizuese e këtij ligji, ka pasur negociata politike me partinë që e përfaqëson shumicën parlamentare për mënyrën se si ne do ta trajtojmë ligjin në fjalë. Ne jemi dakorduar që ta kalojmë ligjin; megjithatë, unë dua të bëj të qartë që nuk kemi arritur dakordësi që të bëhen ndryshime në ligjin. Kemi pasur interpretime të ndryshme, të cilat i kemi diskutuar me kolegët e shumicës parlamentare sa i përket rregullores së Kuvendit. Ne kemi besuar se është e mundur të bëhet amendamentimi i ligjit. Në këtë fazë, kurse shumica parlamentare ka konsideruar dhe e ka interpretuar rregulloren në atë mënyrë që nuk lejohet në këtë fazë të bëhet amendamentimi i ligjit. Prandaj, unë dua të bëj qartë që ne sot jemi në një situatë që duhet ta procedojmë ligjin për miratim në Kuvend, në formën siç është. Pastaj, ne do të nisim një proces të ri të amendamentimit të ligjit, bashkë me kolegë deputetë të Parlamentit të Republikës së Kosovës. Pra, për ta qartësuar edhe një herë, do të rivotohet në Kuvend ky version i ligjit që e kemi sot, në përputhje me nenin 84 të rregullores së Kuvendit. Duhen 61 vota për ta miratuar ligjin dhe po ashtu për ta rrëzuar veton e Presidentes”, tha Deliu.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Vigan Qorrilli, ka theksuar se kthimi i ligjit nga presidentja nuk nënkupton anulimin e tij, por aktivizimin e procedurës së rishqyrtimit parlamentar.
Ai ka sqaruar se përgjegjësia e Komisionit është të shqyrtojë arsyet e kthimit dhe të përgatisë raportin për seancën plenare, ndërsa vendimi përfundimtar i takon Kuvendit.
“Dëshiroj të theksoj që në fillim se kthimi i ligjit nga presidentja nuk përbën anulim të tij dhe as vendimmarrje përfundimtare mbi fatin e tij. Ai përbën ushtrim të një kompetence kushtetuese që aktivizon procedurën e posaçme të rishqyrtimit parlamentar. Në këtë procedurë, Komisioni ynë e ka të vetmen përgjegjësi të diskutojë arsyet e kthimit dhe të përgatisë raportin për seancën plenare, ndërsa vendimmarrja përfundimtare i takon Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dëshiroj gjithashtu të bëj të qartë dallimin juridik që konsideroj që është themelor, ndërmjet rikonfirmimit të ligjit të miratuar më parë dhe mundësisë së ndërhyrjeve të reja, gjë që ne nuk e kemi këtë rast. Ne e kemi tagër, ose seanca plenare ka tagër, vetëm të bëjë konfirmimin e ligjit ose ta lë Kosovën pa ligj. Në këtë kuptim, për këtë arsye, propozoj që diskutimi ynë të përqendrohet vetëm në një çështje dhe është futja në procedurën juridikisht të përshtatshme për rekomandimin që do t’ia paraqesim Kuvendit, ndërkohë që epilogun e ligjit dhe fatin e ligjit e përcakton seanca plenare e Kuvendit”, tha ai.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që pas rivotimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të nisë sa më shpejt procesi i amendamentimit të tij, sipas procedurës së rregullt.
“Pra sa më shpejt që është e mundshme, elemente të cilat prezantohen për ndryshim, respektivisht, amandamentin e ligjit të vijnë, ky është qëndrimi ynë për të kaluarën e zgjuar flas. Për shkak se mendoj që gjithë menaxhimi nuk ka qenë i duhur, mirëpo tash e tutje është ky. Po, vjen në seancë, vjen dekreti, rrëzojmë dekretin, dhe kërkojmë nga ajo që të nisni menjëherë procesin e ndryshimit, respektivisht amandamentimin e ligjit, mbi procedurën e rregullt, për shkak se ne, veç një seancë bëmë për gabim, ne s’guxojmë kurrsesi me dështu në procedurë”, tha ai.
Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka shprehur qëndrim të ndryshëm, duke thënë se nuk duhet të votohet sërish i njëjti version i ligjit, por të nisë një nismë e re ligjore për adresimin e shqetësimeve të identifikuara nga sponsorizuesi.
“Sponsorizuesi në rastin konkret e ka inicuar ligjin. Është pikërisht sponsorizuesi që ka kërkuar nga presidentja e Republikës kthimin e ligjit, me arsyetimet e përgjithshme dhe, natyrisht, është në dorën e sponsorizuesit për t’i dhënë epilog të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm. Ne jemi në një rrethanë të tillë për ligjbërje të re, për ligj të ri. Duke i dhënë besimin, besimit të sponsorizuesit, se kanë identifikuar defekte në ligj. Domethënë, ne nuk jemi sot për të votuar të njëjtin, marrë parasysh shqetësimet që i ka dhënë vetë sponsorizuesi. Thjesht jemi për një nismë të re ligjore, duke i adresuar shqetësimet, duke mos humbur kohë për t’i përsëritur procedurat. Nuk humbim kohë pa asnjë dyshim”, tha Rrustemi.

