Prishtinë, 12 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka reaguar deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, pasi ky i fundit, në mungesë të kryeministrit Albin Kurti, vendosi ta shtyjë për një seancë tjetër pyetjen parlamentare, duke thënë se kryeministri “është duke u shetitur”, raporton Ekonomia Online.
Haxhiu ka thënë se vizitat e kryeministrit janë paralajmëruar më herët, duke përmendur si shembull vizitën në Francë, ndërsa ka theksuar se deputeti nuk duhet t’i referohet Kurtit me shprehjen “po shetitet”, pasi ai është kryeministër i vendit.
Rrahmani ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mungesën në seancat parlamentare, duke thënë se kjo është hera e katërt që ai nuk merr pjesë dhe nuk u përgjigjet pyetjeve të deputetëve.
“Është hera e katërt që po përsëritet. Kurti në katër seanca nuk vjen dhe nuk jep llogari. Në seancën e kaluar ka qenë në Pallatin e Rinisë, në Panair, duke u shëtitur, duke vizituar, dhe nuk ka marrë përgjegjësinë me ardhë me iu përgjigj deputetëve në Kuvend”, ka deklaruar Rrahmani.

