Sveçla: Hetimet për parregullsitë në furnizimin me uniforma të Policisë janë duke u zhvilluar

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 12 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Inspektorati Policor i Kosovës është duke hetuar zhvillimet dhe dyshimet për parregullsi në procedurat e furnizimit me uniforma për Policinë e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Duke iu përgjigjur kritikave të deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, lidhur me mungesën e kapelave të policisë dhe shtyrjen e ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së re të policëve, Sveçla ka paraqitur kronologjinë e procedurave të furnizimit me uniforma, duke thënë se disa prej tyre janë shoqëruar me ankesa të operatorëve ekonomikë dhe vendime gjyqësore.

Ai ka bërë të ditur se në vitin 2024 Policia e Kosovës kishte iniciuar dy procedura emergjente të negociuara me të njëjtin operator ekonomik, ndërsa një kontratë në vlerë prej 2.7 milionë eurosh nuk e kishte nënshkruar për shkak të, siç tha, parregullsive procedurale.

“Ashtu siç theksova edhe pak më herët, janë një seri procedurash të cilat janë iniciuar për furnizimin me uniforma të Policisë së Kosovës, Policisë së rendit, dhe nga brenda kësaj procedure, ashtu siç edhe e thashë më herët, ka pasur ankesa të vazhdueshme të operatorëve ekonomikë edhe vetë drejtuar organit shqyrtues të prokurimit, por edhe, edhe gjykatës. Domethënë, ka filluar në 2021, kemi kaluar pastaj në 2023, që e përmenda më herët, me 31 tetor 2024, Policia e Kosovës ka iniciuar procedurë emergjente të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, e cila është anuluar më 12 dhjetor 2024, pasi operatori ekonomik ishte konsideruar i papërgjegjshëm nga Policia e Kosovës. Më 13 dhjetor 2024, vetëm 1 ditë pas anulimit të procedurës paraprake, Policia e Kosovës ka iniciuar një procedurë tjetër emergjente të negociuar, pa publikim të njoftimit të kontratës, me të njëjtin operator ekonomik, i cili 1 ditë më parë ishte konsideruar i papërgjegjshëm. Blerja e planifikuar e kësaj kontrate ishte 2.7 milionë euro, edhe pse kontrata ishte rekomanduar për nënshkrim, në cilësinë e titullarit të ministrisë nuk e ka nënshkruar për shkak të parregullsive procedurale. Në korrik të këtij viti, pas pranimit të vendimit të formës së prerë të gjykatës për procedurën që Policia e Kosovës e kishte iniciuar në vitin 2023, e ka nënshkruar kontratën për furnizim me uniforma në vlerë prej 11.3 milionë eurosh. Aktualisht jemi brenda afatit të paraparë për liderimin e tyre. Megjithatë, ky proces, sikurse edhe disa procese tjera të zhvilluara për furnizime, ngre pikëpyetje serioze dhe lë shumë vend për dyshime”, tha ai.

Sveçla ka thënë se pret që hetimet të sqarojnë të gjitha rrethanat dhe të përcaktojnë përgjegjësinë për çdo parregullsi eventuale.

“Për të gjitha këto zhvillime, tashmë Inspektorati Policor i Kosovës është duke zhvilluar hetimet e tij. Ne e mbështesim këtë proces dhe presim që të gjitha rrethanat të hetohen në mënyrë të plotë, profesionale dhe në përputhje me ligjin, në mënyrë që të sigurohet qartësi dhe të përcaktohet përgjegjësia për çdo parregullsi eventuale”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër