Një 25-vjeçar humb jetën pas një sulmi me thikë në Bronks, plagoset edhe një grua

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Nju Jork, 16 nëntor, Zhurnal.mk – Një 25-vjeçar humbi jetën dhe një grua 24-vjeçare mbeti e plagosur pas një sulmi me thikë dje në mbrëmje, në lagjen Belmont të Bronksit, në Nju Jork, sipas “New York Post”.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18:40, jashtë një dyqani në adresën “2268 Webster Avenue”, ku, sipas policisë, burri u godit disa herë me thikë në pjesën e barkut, ndërsa gruaja u plagos në këmbën e majtë.

Të dy të plagosurit u transportuan me urgjencë në spitalin “Saint Barnabas”.

Burri ndërroi jetë në spital, ndërsa gruaja ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Rrethanat dhe motivet e sulmit mbeten ende të paqarta. Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse policia ka identifikuar ose arrestuar autorët e dyshuar.

Hetuesit kanë ekzaminuar vendngjarjen, si dhe një ambient në hollin e një pallati aty pranë, ku janë konstatuar gjurmë gjaku, rroba dhe pajisje mjekësore.

Një banore e zonës u shpreh e habitur nga ngjarja, duke thënë se lagjja zakonisht, është e qetë dhe se ndihet e sigurt kur del jashtë me fëmijët e saj.

Ngjarja vjen pas dy vrasjeve të tjera të raportuara në Bronks gjatë fundjavës, duke e çuar në tre numrin e viktimave të vrasjeve në këtë zonë brenda dy ditësh.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër