“Nuk na interesojnë partitë, kemi ardhur të kërkojmë drejtësi”, thotë një grua nga Ohri

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Ohër, 17 nëntor Zhurnal.mk – “Nuk na interesojnë partitë, kemi ardhur të kërkojmë drejtësi për Sarën”, ishte mesazhi i gjyshes së 26-vjeçares Sara Gjorgjievska dhe një fqinjeje të saj të afërt, të cilat morën pjesë në protestën kundër dhunës, që u mbajt sonte para Stacionit Policor në Ohër.

Edhe pse tubimi u organizua nga Forumi i Grave i LSDM-së, në mesin e të pranishmëve kishte edhe qytetarë pa përkatësi partiake, të cilët iu bashkuan protestës me kërkesën për drejtësi dhe përgjegjësi për sulmin fizik ndaj vajzës së re nga Ohri.

Gjyshja e Sarës dhe fqinja e saj theksuan se pjesëmarrja e tyre nuk ka asnjë prapavijë politike dhe se arsyeja e vetme e ardhjes së tyre ishte mbështetja për vajzën dhe kërkesa që drejtësia të vihet në vend.

Prania e tyre tërhoqi vëmendje, pasi prindërit e Sarës më herët kishin kërkuar publikisht anulimin e protestës, me arsyetimin se nuk dëshirojnë që rasti i vajzës së tyre të shfrytëzohet për qëllime politike. Ata kishin theksuar se presin që institucionet ta kryejnë punën e tyre dhe rasti të marrë epilogun ligjor.

Sara Gjorgjievska pësoi lëndime të rënda pasi u sulmua fizikisht nga partneri i saj, Kristian Koraboski, i cili është privuar nga liria.

Pjesëmarrësit në protestë përcollën mesazhin se dhuna ndaj grave nuk duhet të heshtet dhe se institucionet duhet të sigurojnë mbrojtje në kohë për viktimat, si dhe përgjegjësi për autorët e dhunës.

Mesazhi kryesor i gjyshes së Sarës dhe fqinjës së saj ishte se kërkimi i drejtësisë nuk duhet të ketë përkatësi partiake dhe se mbështetja për viktimat e dhunës duhet të jetë obligim i përbashkët i të gjithë qytetarëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër