Romë, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Qeveria italiane ka miratuar një mekanizëm të përkohshëm, për kufizimin e çmimit të gazit natyror, që përdoret në prodhimin e energjisë elektrike, me synimin për të ulur kostot e energjisë për familjet dhe bizneset.
Masa, e cila pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, dhe përcakton një tavan prej 58,90 eurosh për megavat-orë (MWh), për gazin e përdorur nga centralet elektrike që punojnë me gaz natyror.
Sipas mekanizmit të miratuar, kur çmimi i gazit në treg tejkalon këtë nivel, prodhuesit e energjisë elektrike, do të kompensohen për diferencën mes çmimit të tregut dhe kufirit të përcaktuar.
Mekanizmi do të zgjasë për 18 muaj dhe do të bazohet në çmimin referues të gazit, në bursën holandeze TTF, një nga treguesit kryesorë të çmimeve të gazit në Evropë.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, deklaroi se masa synon të kufizojë ndikimin që rritja e çmimit të gazit ka mbi faturat e energjisë elektrike.
Paketa përfshin edhe masa të tjera për funksionimin e tregut të energjisë.
Një prej tyre parashikon forcimin e rregullave kundër operatorëve që mbajnë qëllimisht jashtë funksionit kapacitetet e prodhimit, me synimin për të ndikuar në rritjen e çmimeve.
Autoriteti italian i Energjisë (ARERA) do të hartojë udhëzime më të rrepta, për të garantuar konkurrencën në treg dhe për të siguruar që kostot më të ulëta të prodhimit nga burimet e rinovueshme, të reflektohen në faturat e konsumatorëve.
Qeveria ka parashikuar gjithashtu masa për të kufizuar kalimin e kostove shtesë të këtij mekanizmi te faturat e energjisë elektrike.
Vendimi vjen në një kohë kur çmimet e gazit në Evropë mbeten të larta, mes pasojave të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe pasigurive për furnizimin me energji.

