Shkup, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Pas lajmit të publikuar në “plusinfo.mk“, me titullin “BDI drejt një përçarjeje të madhe: Kush e nxit Sefer Selimin të shkruajë kundër Artan Grubit?”, përmes një postimi në Facebook ka reaguar analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Sefer Selimi.
Selimi ka deklaruar se qëndrimet e tij publike nuk ndikohen nga interesa partiake apo përplasjet dhe klanet brenda partive politike. Ai ka thënë se nuk ka ngurruar dhe nuk do të ngurrojë të shprehë mendimin e tij, duke theksuar se është i vetëdijshëm se jo gjithmonë mund të ketë të drejtë.
“Mendimi im nuk ndikohet nga interesa partiake, as nga përplasjet apo klanet brenda partive. Nuk kam ngurruar dhe as do të ngurroj ta them mendimin tim duke qenë i vetëdijshëm se jo gjithmonë kam të drejtë”, ka shkruar Selimi.
Ai ka reaguar edhe ndaj portaleve që, sipas tij, shërbejnë si “instrumente parapolitike të propagandës së qeverisë”, duke thënë se kritikat e tilla nuk mund ta dekurajojnë atë në qëndrimet e tij.
“Nuk jam arsyetuar dhe nuk do të arsyetohem për mendimin tim politik, ashtu siç nuk do të akuzoj askënd për mënyrën se si e ka kuptuar apo interpretuar atë që kam thënë”, ka theksuar ai.
Selimi ka përmendur edhe disa prej figurave politike ndaj të cilëve, sipas tij, ka qenë kritik edhe në periudhën kur kanë pasur ndikim të madh politik.
“Kam qenë kritik i Artanit, Bujarit, Arbenave, Zijadinit e Aliut kur kanë qenë në zenitin e pushtetit të tyre. E bëj edhe me këta që janë sot në pushtet, duke filluar nga kryeministri Mickoski e deri te të papushtetshmit e VLEN-it”, ka shkruar Selimi.
Sipas tij, roli i atyre që merren me analizë dhe debat publik duhet të jetë kritika dhe angazhimi për interesin e përgjithshëm, pa u pozicionuar domosdoshmërisht kundër një individi apo subjekti politik.
“Detyra jonë është kjo. Qëllimi nuk duhet të jetë të jesh kundër dikujt, por të veprosh për të mirën e përgjithshme”, është shprehur ai.
Në reagimin e tij, Selimi ka folur edhe për mënyrën se si perceptohen qëndrimet dhe atributet që u atribuohen individëve, duke thënë se perceptimi i të tjerëve nuk duhet të jetë përcaktues për qëndrimet personale.
“Atributet që dikush t’i jep janë çështje perceptimi. Realiteti dhe raporti yt me të janë e vetmja shtysë që të mban në vertikalen e qenies sate individuale dhe publike. Pa harruar asnjëherë qëllimin!”, ka shkruar ai.

