Komisioni Evropian goditet nga një sulm i madh kibernetik, ende nuk dihet nëse janë vjedhur të dhëna

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Komisioni Evropian është përballur me një sulm të madh kibernetik që ka shënjestruar sistemet e brendshme të burimeve njerëzore. Ekspertët e sigurisë kibernetike të BE-së po vlerësojnë ende dëmet dhe nëse janë komprometuar të dhëna personale të ndjeshme të punonjësve.

Për disa ditë, zyrtarët e Komisionit nuk kanë mundur të kenë qasje në platformën e brendshme Sysper, ku kontrollojnë pagat, kërkojnë pushime vjetore dhe mjekësore, dorëzojnë oraret e punës dhe regjistrohen për trajnime.

Të enjten, Sysper ishte sërish funksional, ndërsa skema e sigurimit shëndetësor, e njohur si Joint Sickness Insurance Scheme (JSIS), vazhdonte të ishte jashtë funksionit, bëri të ditur një zyrtar për Euronews, në kushte anonimiteti.

Përveç këtyre ndërprerjeve, shumica e nëpunësve civilë mezi e kanë vërejtur se sistemet ishin komprometuar. Ndërkohë, CERT-EU, shërbimi përgjegjës për sigurinë kibernetike të institucioneve të BE-së, po përpiqet të përcaktojë shkallën e dëmit.

Çështja kryesore mbetet nëse sulmuesit, identiteti i të cilëve ende nuk dihet, kanë arritur të kenë qasje në të dhënat e ruajtura në Sysper, JSIS dhe sistemet e tjera të burimeve njerëzore.

Një depërtim i tillë zakonisht nuk do t’u mundësonte sulmuesve qasje në dokumentet e brendshme të Komisionit, pasi ato ruhen në një sistem të veçantë.

Megjithatë, platformat përmbajnë informacione personale të ndjeshme, përfshirë emrat e zyrtarëve, kategoritë e pagave, adresat e banimit dhe të dhënat e kontaktit. Një bazë e tillë të dhënash mund të përdoret për organizimin e fushatave shumë më të sofistikuara të sulmeve ndaj punonjësve individualë.

Zyrtarët e BE-së ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim zyrtar të brendshëm për incidentin, pasi institucionet janë duke vlerësuar shkallën e dëmit.

Komisioni Evropian nuk është përballur për herë të parë me sulme të tilla. Në mars, infrastruktura e tij kompjuterike në cloud, ku janë të vendosura faqet e internetit Europa.eu, u komprometua, duke çuar në vjedhjen e rreth 91.7 gigabajt të dhënash, përfshirë informacione personale dhe përmbajtje të postës elektronike.

Ndërsa në janar, një sulm kibernetik kishte shënjestruar infrastrukturën qendrore të Komisionit për pajisjet mobile, duke rrezikuar ekspozimin e emrave dhe numrave të telefonit të punonjësve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër