Tiranë, 23 nëntor, Zhurnal.mk – Moti me reshje intensive të shiut që ka përfshirë vendin gjatë orëve të fundit ka shkaktuar problematika në furnizimin me energji elektrike, qarkullimin në disa akse rrugore dhe trafikun ajror, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë ndërhyrjet në terren për normalizimin e situatës.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se aktualisht janë 52 fidera jashtë pune, kryesisht në zonat rurale të Matit, Mirditës, Lushnjës dhe Bajram Currit.
Sipas tij, ndërhyrjet për riparimin e defekteve paraqesin vështirësi për shkak të distancave të mëdha të rrjetit elektrik dhe terrenit të vështirë.
Pavarësisht problematikave, të gjitha linjat 35 kV, nënstacionet dhe fiderat që furnizojnë me energji elektrike hidrovorët janë në funksion. Edhe sistemi i transmetimit paraqitet normal, me linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV në operim.
Sa i përket qarkullimit rrugor, ministri informoi se lëvizja vijon normalisht në të gjitha akset nacionale, por në disa segmente janë evidentuar rënie gurësh dhe inertesh. Problematikat janë raportuar kryesisht në zonat e veriut, në akset Bogë–Theth, Bajram Curri–Valbonë, Kukës–Bushtricë, Kukës–Shishtavec, Krumë–Qafë Prush dhe Rrëshen–Shpal–Qafë Bene, si dhe në disa segmente të tjera të Tropojës.
Në Qafë Thore janë regjistruar reshje shiu të përziera me dëborë, por rruga është mbajtur e pastër. Ndikimi i motit të keq është ndjerë edhe në trafikun ajror.
Ministri tha se, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” janë krijuar vështirësi për uljen e avionëve, duke detyruar pesë prej tyre të devijojnë drejt aeroporteve alternative. Ndërkohë, ngritjet e avionëve nga aeroporti i Tiranës vijojnë normalisht.
Në Portin e Durrësit, tragetet kanë mbërritur sipas orarit dhe përpunimi i kontejnerëve vijon normalisht. Megjithatë, reshjet e shiut kanë ndërprerë përkohësisht shkarkimin e një pjese të mallrave.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se furnizimi me ujë të pijshëm paraqitet normal në të gjitha shoqëritë, ndërsa në zonën e Shkozetit është evidentuar një bllokim rruge, i cili është menaxhuar nga strukturat përgjegjëse.
Prurjet natyrore në kaskadën e Drinit raportohen në 250 metër kub në sekondë në HEC Fierzë, 800 metër kub në sekondë në HEC Koman dhe 50 metër kub në sekondë në HEC Vau i Dejës.
Grupet e punës në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë vijojnë të jenë në terren për riparimin e defekteve dhe menaxhimin e situatës së krijuar nga moti i keq.

