Berisha: Nisim negociatat për kandidat të përbashkët për Tiranën

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 23 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se opozita duhet të bashkohet për zgjedhjet e ardhshme lokale për të dalë me një kandidat të përbashkët për bashkinë e Tiranës.

Në një konferencë për mediet në selinë e PD-së, Berisha bëri të ditur se pritet të nisin negociatat me partitë e tjera opozitare, me synimin për të krijuar një front të përbashkët elektoral.

“Aty në protestë kanë qenë nga të gjitha partitë politike dhe qytetarët pa parti. Të jemi realistë, protesta ka qenë një bashkim i paprecedentë.Të ulemi në diskutim pa asnjë paragjykim dhe të zgjedhim kandidaturën më të përshtatshme për qytetarët e Tiranës”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së tha se bashkimi i opozitës duhet të mbështetet në vullnetin e përbashkët për t’u përballur me qeverinë, duke nënvizuar se secila forcë politike duhet të vendosë nëse e konsideron qeverisjen aktuale një rrezik për vendin.

“Ndërkombëtarët, miqtë e vërtetë, kanë një këshillë: Bashkohuni si opozitë! Të bashkohemi në pluralitetin tonë, në identitetet tona, por të bashkohemi kundër një të keqeje më të madhe”, tha Berisha.

I pyetur edhe për qëndrimin e PD-së ndaj identifikimit elektronik të votuesve, Berisha tha se kjo teknologji është shoqëruar me akuza për abuzime serioze.

“Identifikimi elektronik është akuzuar për abuzime shumë serioze. Deri dhe për çipe që informojnë se kush votoi dhe kush s’votoi, e të tjera me radhë”, u shpreh ai.

artikuj të ndërlidhura