Shkup, 23 nëntor Zhurnal.mk – Çiftet e reja të martuara deri në moshën 35-vjeçare do të kenë mundësi të blejnë banesa me çmime të paktën 20 për qind më të ulëta se ato të tregut. Kjo është masa e re e paralajmëruar nga kryeministri Hristijan Mickoski, e cila synon të lehtësojë zgjidhjen e çështjes së banimit për të rinjtë. Ndërkohë, Banka Popullore nga 1 dhjetori do të vendosë rregulla më të rrepta për kreditimin, por do të parashikojë përjashtime për ata që blejnë për herë të parë një banesë.
Të dhënat e Eurostat-it tregojnë se në Maqedoninë e Veriut po zvogëlohet numri i fëmijëve në familje, duke ngritur pyetjen nëse lehtësimi i kushteve për blerjen e banesave mund të ndikojë edhe në rritjen e natalitetit.
Çmimet e larta të banesave, kreditë e shtrenjta për banim dhe pasiguria e të ardhurave janë ndër pengesat kryesore me të cilat përballen të rinjtë në vend, kur dëshirojnë të jetojnë të pavarur dhe të krijojnë familje. Për shumë prej tyre, blerja e një banese nënkupton marrjen përsipër të një detyrimi financiar që duhet shlyer për dekada, prandaj shpesh shtyhen si vendimi për të blerë banesë, ashtu edhe planet për të pasur fëmijë.
Pikërisht për këtë arsye, masat e paralajmëruara për lehtësimin e blerjes së banesës së parë hapin një debat më të gjerë: a do t’u ofrojnë banesat më të lira dhe kushtet më të favorshme të kreditimit siguri më të madhe të rinjve për të krijuar familje dhe a mund të ndikojnë në rritjen e natalitetit?
Nga 1 dhjetori, Banka Popullore do të vendosë rregulla të reja dhe më të rrepta për kreditimin e qytetarëve, por njëkohësisht do të parashikojë përjashtime për ata që blejnë për herë të parë një banesë. Paralelisht me këtë, kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi një masë ligjore përmes së cilës çiftet e reja të martuara deri në moshën 35-vjeçare do të mund të blejnë banesë me çmim të paktën 20 për qind më të ulët se çmimi i tregut.
Mickoski bëri të ditur se kompanitë ndërtimore që dëshirojnë të marrin leje për ndërtim do të detyrohen të ndajnë të paktën 10 për qind të sipërfaqes së banimit për çiftet e reja të martuara deri në moshën 35-vjeçare, me çmim së paku 20 për qind më të ulët se ai i tregut.
“Asnjë kompani ndërtimore që ka për qëllim të ndërtojë njësi banimi, ndërtesa, pavarësisht se në cilin qytet apo në cilën pjesë të Maqedonisë, nuk mund të marrë leje ndërtimi nëse nuk ndan të paktën 10 për qind të sipërfaqes së banimit për çiftet e martuara deri në moshën 35-vjeçare, me çmim të paktën 20 për qind më të ulët se ai i tregut”, deklaroi Mickoski.
Ai paralajmëroi gjithashtu zero taksa komunale për ndërtimin e shtëpive për çiftet e martuara deri në moshën 35-vjeçare, duke vlerësuar se këto masa do të mundësojnë ndërtim më human dhe zgjidhje më të lehtë të çështjes së banimit.
Megjithatë, masa duhet ende të konkretizohet përmes ligjit, ndërsa nga kushtet përfundimtare do të varet se kush do të ketë të drejtë të aplikojë, si do të bëhet ndarja e banesave dhe si do të përcaktohet çmimi i tregut, mbi bazën e të cilit do të llogaritet zbritja.
Nga ana tjetër, Banka Popullore nga 1 dhjetori do të ndryshojë rregullat për kufirin maksimal të ngarkesës kreditore të qytetarëve. Për kreditë në denarë, raporti maksimal ndërmjet detyrimeve të përgjithshme mujore kreditore dhe të ardhurave do të ulet nga 50 në 45 për qind, ndërsa për kreditë me komponentë valutore nga 45 në 40 për qind.
Kjo do të thotë se bankat do të duhet të zbatojnë kritere më të rrepta gjatë vlerësimit se sa nga të ardhurat mujore të një qytetari mund të shkojnë për shlyerjen e kredive.
Për shembull, një person me pagë mujore prej 60.000 denarësh deri më tani mund të kishte detyrime të përgjithshme mujore kreditore deri në 30.000 denarë për kreditë në denarë. Me rregullat e reja, ky kufi ulet në 27.000 denarë. Ndërsa për kreditë me komponentë valutore, kufiri për të njëjtat të ardhura do të jetë 24.000 denarë, në vend të 27.000 denarëve sa ishte deri më tani. Në këtë përllogaritje përfshihen të gjitha detyrimet ekzistuese kreditore dhe jo vetëm kësti i kredisë së re.
Megjithatë, për qytetarët që blejnë për herë të parë një banesë, parashikohen kushte më të favorshme. Për ta mbeten kufijtë aktualë prej 50 për qind për kreditë në denarë dhe 45 për qind për kreditë me komponentë valutore, si dhe afati maksimal prej 30 vjetësh për shlyerjen e kredisë banesore.
Për blerjen e banesës së dytë dhe çdo banese pasuese, afati maksimal i shlyerjes ulet nga 30 në 25 vjet, ndërsa për kreditë konsumatore të siguruara me hipotekë do të jetë maksimumi 15 vjet.
Por, a do të thotë blerja më e lehtë e banesës edhe më shumë fëmijë?
Të dhënat e Eurostat-it për vitin 2025 tregojnë se 66,1 për qind e amvisërive në Maqedoninë e Veriut nuk kishin fëmijë në varësi, ndërsa 33,9 për qind kishin fëmijë. Nga gjithsej 595.600 amvisëri, 393.400 ishin pa fëmijë, ndërsa 202.200 kishin fëmijë në varësi.
Numri mesatar i fëmijëve për amvisëri ishte 0,60, që paraqet rënie prej 25 për qind krahasuar me vitin 2015, kur kjo shifër ishte 0,80.
Për krahasim, në Bashkimin Evropian, 76,6 për qind e amvisërive nuk kishin fëmijë, ndërsa 23,3 për qind kishin fëmijë në varësi. Gjatë 15 viteve të fundit, pjesëmarrja e amvisërive me fëmijë në BE ka shënuar rënie të vazhdueshme, nga 26,9 për qind në vitin 2010 në 23,3 për qind në vitin 2025. Gjatë kësaj periudhe është rritur numri i amvisërive të përbëra nga një person i rritur pa fëmijë.
Shtëpia e vet mund t’i ndihmojë të rinjtë të bëhen të pavarur dhe të krijojnë familje, por në vetvete nuk garanton rritjen e natalitetit. Për më shumë fëmijë, përveç qasjes më të lehtë në banesa, nevojiten vende të sigurta pune, të ardhura të dinjitetshme dhe kushte më të mira jetese.
https://www.vecer.press/dali-poevtinuvaneto-na-stanovite-ke-donese-i-poveke-bebina/

