Pekin, 24 nëntor, Zhurnal.mk – Më 23 nëntor, Kombet e Bashkuara zhvilluan ceremoninë përkujtimore me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez. Presidenti i Kinës, Xi Jinping, i dërgoi një mesazh urimi kësaj ceremonie.
Xi Jinping theksoi se çështja palestineze qëndron në thelb të çështjes së Lindjes së Mesme. Tensionet aktuale në rajon nuk duhet të largojnë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare nga çështja palestineze.
Ai u shpreh se çelësi për zgjidhjen e kësaj çështjeje është ruajtja e drejtimit të duhur të zgjidhjes me dy shtete dhe rifillimi i negociatave të paqes mes Palestinës dhe Izraelit. Administrimi i Bregut Perëndimor të lumit Jordan dhe rindërtimi i Gazës pas luftës duhet të zhvillohen në përputhje me parimin “Palestina të qeveriset nga palestinezët”. Gjithashtu, duhet të kundërshtohet çdo veprim që synon pushtimin e tokave palestineze dhe cenimin e të drejtave të tyre.
Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i shndërrojë në veprime konkrete konsensusin dhe angazhimet për mbështetjen e popullit palestinez, duke nxitur arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm në Gaza dhe duke garantuar sigurinë e civilëve.
Xi Jinping theksoi se Kina ka mbështetur gjithmonë me vendosmëri kauzën e drejtë të popullit palestinez për rikthimin e të drejtave të tij legjitime kombëtare. Kina do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjitha vendet e bashkësisë ndërkombëtare që duan paqen dhe mbrojnë drejtësinë, për të nxitur në mënyrë praktike, mbi bazën e sundimit të ligjit ndërkombëtar, një zgjidhje të plotë, të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes palestineze sa më shpejt të jetë e mundur.
Kina synon gjithashtu të kontribuojë në vendosjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Lindjen e Mesme, si dhe në paqen, stabilitetin, zhvillimin dhe begatinë e botës.
