Rijad, 24 nëntor Zhurnal.mk – Rebelët Huthi të Jemenit goditën sot rrokaqiellin më të lartë në Riad të Arabisë Saudite për herë të dytë brenda një jave, duke plagosur të paktën 11 persona, thanë autoritetet saudite.
Shërbimi i Mbrojtjes Civile të mbretërisë konfirmoi numrin e të plagosurve dhe publikoi një foto të rrokaqiellit ikonik, ku ndodhet fondi shtetëror i investimeve, duke treguar dëmet në fasadën e ndërtesës.
I njëjti rrokaqiell u shënjestrua nga Houthi-t të enjten e kaluar , duke shkaktuar dëme materiale, por pa të lënduar.
Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili mbështet qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit kundër rebelëve Huthi, njoftoi më herët sot se një rrokaqiell në qendrën financiare të Riadit ishte cak i një “sulmi terrorist”.
Rebelët pro-iranianë Huthi – të cilët kontrollojnë pjesën më të madhe të Jemenit perëndimor, përfshirë kryeqytetin Sanaa – ndërmarrin sulme pothuajse të përditshme kundër Arabisë Saudite, duke synuar aeroportet, objektet e naftës dhe ndërtesat e zyrave.
Përshkallëzimi i sulmeve ka çuar në anulimin e shumë fluturimeve ndërkombëtare për në Riad, ndërsa i ka detyruar autoritetet saudite të shtyjnë Kupën Aziatike të këtij viti (Kupa Aziatike AFC) për në dhjetor 2027.
