A do të punojmë katër ditë në javë?

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 tetor Zhurnal.mk – Shporta e konsumit për një familje katër anëtarëshe në shtator ka kushtuar 58.117 denarë, që është për 358 denarë ose 0,6 për qind më pak krahasuar me muajin gusht, por për 1.736 denarë, përkatësisht 3,1 për qind më shumë në krahasim me janarin e këtij viti. Kjo u theksua në mbledhjen e Këshillit Ekonomik-Social (KES), ku partnerët socialë diskutuan edhe për ditët jopune, punën të dielave, mundësinë e vendosjes së javës katërditore të punës dhe rregullimin e stazhit pensional.

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, theksoi se qëllimi i metodologjisë së re për llogaritjen e shportës së konsumit është të sigurojë një pasqyrë objektive, transparente dhe të bazuar në statistika për shpenzimet reale të familjeve, e cila do të shërbejë si bazë për hartimin e politikave ekonomike dhe sociale.

“Qëllimi ynë nuk është të paraqesim një shifër më të ulët, por të sigurojmë një pasqyrë të verifikueshme, transparente dhe të bazuar në statistika për shpenzimet e familjeve. Të dhënat duhet të na shërbejnë si bazë për marrjen e vendimeve të përgjegjshme dhe miratimin e masave që do të kontribuojnë në përmirësimin e standardit të jetesës dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve”, theksoi Durmishi.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, shporta e konsumit për muajin shtator është ulur për 358 denarë krahasuar me gushtin, por në nivel vjetor, përkatësisht në krahasim me janarin e vitit 2026, shënon rritje prej 1.736 denarësh. Ministri theksoi se këto lëvizje konfirmojnë nevojën për monitorim të vazhdueshëm të çmimeve dhe vlerësim të kujdesshëm të presioneve mbi buxhetet familjare.

Në mbledhje u shpjegua edhe metodologjia e re për llogaritjen e shportës së konsumit, e cila përfshin 11 kategori shpenzimesh dhe 101 produkte ushqimore. Llogaritja bazohet në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave për tetë qytete, informacionet për çmimet e frutave dhe perimeve nga 23 tregje, si dhe të dhënat nga pesë zinxhirë të mëdhenj dhe tre zinxhirë rajonalë tregtarë.

Nga Ministria theksojnë se me këtë qasje përfshihen një gamë më e gjerë çmimesh dhe shprehish konsumatore, me qëllim që të sigurohet një pasqyrë më përfaqësuese e shpenzimeve të familjeve në vend.

Duke folur për dallimet ndërmjet llogaritjeve të ndryshme të shportës së konsumit, Durmishi sqaroi se ato vijnë si pasojë e strukturës, përfshirjes dhe burimeve të ndryshme të të dhënave. Dallimet më të theksuara vërehen te ushqimi dhe pijet, veshmbathja dhe këpucët, arsimi, banimi dhe shpenzimet komunale. Në disa kategori, si mirëmbajtja e amvisërisë, rekreacioni dhe kultura, llogaritja e Ministrisë tregon vlera më të larta.

“Llogaritjet e ndryshme nuk duhet të jenë shkak për kundërshtime të ndërsjella, por nxitje për diskutim konstruktiv dhe hartim të politikave të bazuara në të dhëna relevante. Asnjë statistikë nuk mund ta zëvendësojë kujdesin real për fuqinë blerëse, sigurinë ekonomike dhe jetën dinjitoze të qytetarëve”, theksoi ministri.

Përveç shportës së konsumit, në mbledhjen e Këshillit Ekonomik-Social u shqyrtuan edhe çështjet që lidhen me ditët jopune, punën të dielave, mundësinë e vendosjes së javës katërditore të punës dhe rregullimin e stazhit pensional.

Durmishi theksoi se këto çështje kërkojnë shqyrtim të kujdesshëm, harmonizim të interesave të ndryshme dhe përfshirje aktive të partnerëve socialë.

https://www.vecer.press/ke-rabotime-li-chetirdenao-nedelata/

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër