Shkup, 7 korrik – Strukturat që deri tani mbështesnin Arben Taravarin thuajse çdo ditë e më shumë po largohen nga ai. Largimi nga VLEN-i dhe bashkëpunimi me BDI-në duket se i ka bërë të ndjehen të tradhëtuar të gjithë ata që i mbetën besnik atij.
Së fundmi, nga Taravari u largua edhe ish deputetja e PDSH-së Merale Ferati, e cila me shumë bujë u paraqit si një nga “prurjet e reja” në ekipin e Arben Taravarit, duke qenë edhe anëtare e Kryesisë Qendrore të Aleancës për Shqiptarët. Ajo së fundmi u pa si themeluese e Lëvizjes së re politike “Arbëria”, bashkë me ish deputetë të PDSH-së, të cilët i kishin besuar Taravarit. Ata me 8 shkurt 2024 i kishin shkuar në kafe Taravarit për t’i dhënë mbështetje dhe përkrahje pas kërcënimit me fishek në prag të derës.
Ish deputetët e PDSH-së, Bekim Fazliu, Gazmend Aliu, Orhan Ibrahimi dhe Merale Ferati në vizitën që i kishin bërë kreut të ASH-së kishin shkruar në FB në një foto të përbashkët se edhe pse kanë dallime në politikë, mund të mos pajtohemi për shumë çështje e të debatojnë për orë e vite, por në demokraci, kurrë nuk guxon që të kërcënosh dikë me plumb në stil mafioz.
Por, largimi i Feratit nuk është rastësor. Kjo vjen në një kohë kur shumë përkrahës dhe mbështetës të Taravarit u ndjenë të zhgënjyer me veprimet e tij, dhe për këtë arsye po ndodhë një varg largimesh.
Themeluesit, aktivistët më të devotshëm dhe truri politik i Aleancës janë larguar njëri pas tjetrit, duke e lënë partinë në një gjendje të paralizuar funksionale, e në këtë përbërje janë edhe ish-deputetët e PDSH-së, duke përfshirë këtu edhe Merale Feratin.
Në fazën e parë, largimi i strukturave lokale dhe themeluesve solli një tronditje serioze, por në fazën e dytë po ndodh edhe ajo që dukej e pamundur, pasi edhe individët që dikur iu bashkuan Aleancës nga radhët e PDSH-së apo BDI-së, shpesh pa ndonjë kontribut të dukshëm, po i kthejnë shpinën Taravarit. Edhe ata që u promovuan pa konsultim me organet partiake dhe që përfituan pozita të larta, po e braktisin tani që është bërë e qartë se Taravari është tërhequr nga zotimet e tij.
Përveç ish-anëtares së kryesisë qëndrore, strukturat që deri tani mbështesnin Arben Taravarin në Tetovë gjithashtu kanë braktisur radhët e Ash-së së Taravarit dhe janë bashkuar me grupin që ka zgjedhur të mbetet në qeveri, të udhëhequr nga Arben Fetai.
Në mesin e të larguarve janë emra të rëndësishëm si Arif Selami, kryetari i deritanishëm i degës në Tetovë, si dhe Arbenita Meta dhe Blerim Qamili.
Që në momentin kur Arben Taravari vendosi të largohet nga qeveria dhe të njoftojë bashkëpunimin me BDI-në në zgjedhjet lokale u ballafaqua me një goditje të fuqishme brenda anëtarësisë dhe miqve të tij më të ngushtë.
Ish ministri Azir Aliu, zëvendëskryeministri Arben Fetai si dhe Bujare Abazi, si dhe figura të tjera drejtuese të ASH-së, kanë zgjedhur të qëndrojnë me VLEN dhe të kontribuojnë në qeverinë e re, duke i dhënë fund çdo dyshimi mbi drejtimin politik që ata përkrahin.
Në vend se të jetë pjesë e reformës dhe përfaqësimit të shqiptarëve në qeverisje, Taravari ka vendosur të shkojë në opozitë, përkrah Ali Ahmetit, duke u rreshtuar kundër vullnetit të shqiptarëve dhe kundër bashkëpartiakëve të vet.
Ky zhvillim nuk është vetëm një përçarje politike, por një ndarje mes atyre që i qëndrojnë besnikë misionit për ndryshim dhe atyre që i dorëzohen interesave personale. Me Taravarin po mbetet vetëm një rreth i ngushtë individësh pa peshë reale politike, ndërsa pjesa dërrmuese e strukturës së ASH-së tashmë është e integruar në shumicën qeverisëse dhe në projektin politik të VLEN-it.
Zgjedhjet lokale të tetorit pritet të jenë përcaktuese për fatin politik të Arben Taravarit, i cili rrezikon të humbasë edhe qytetin e Gostivarit, të cilin e konsideronte si çerdhen e tij.
Shqiptarët dinë të vlerësojnë në momente të vështira, por kur i le ata në baltë dhe ua humb besimin, ata dinë edhe të dënojnë. Prandaj, pas gjithë këtyre largimeve, shtrohet pyetja se a ka kush tjetër më që ka mbetur me Taravarin!, shkruan “Zhurnal.mk”.
