Shkup, 17 korrik – Me rëndësi është të dihet se proceset zgjedhore, skandalet apo krizat janë faktorë që krijojnë “terren pjellor” që një vend të bëhet shënjestër e ndërhyrjeve të huaja dhe manipulimit të informacionit, shkruan “Zhurnal.mk”.
Nuk është me rëndësi të shohim sa i madh është një vend, por sa “tërheqës” është që aktorët e huaj të sulmohen.
Gjatë zgjedhjeve ekziston mundësia e një ndryshimi dhe ajo që do të bëjnë aktorët e huaj është të përpiqen të ndikojnë ose manipulojnë informacionin në mënyrë që partitë ose politikanët e ardhshëm në pushtet të jenë më të prirur drejt tyre.
Mediat pro ruse janë të prira të luftojnë në këtë formë, dhe ata nëse nuk arrijnë ta bëjnë destabilizimin, të paktën do të përpiqen t’i diskreditojnë sa më shumë që të jetë e mundur aktorët më të rëndësishëm politik.
Hulumtimet ndërkombëtare tregojnë se fushatat e ndërhyrjes së huaj dhe manipulimit të informacionit janë më të përhapura para zgjedhjeve, skandaleve, krizave ndërkombëtare ose rasteve të tjera ku opinioni publik është më i ndjeshëm.
Për shembull, mediat të paguara nga qarqe të ndryshme mund të përhapin shumë dezinformata dhe madje teori konspirative rreth politikanëve që janë pjesë e qeverisë, duke i diskredituar ata duke ndarë ose shpikur skandale.
Kjo ka ndodhur në fakt në Gjermani, ku ministrat dhe ish-ministrat janë diskredituar nga histori të rreme rreth tyre. Kjo mund të ketë një ndikim të madh në reputacionin e tyre. Rusët kanë manipuluar informacionin para zgjedhjeve: Operacioni Doppelgänger gjatë zgjedhjeve të mëparshme në Gjermani, i cili është dokumentuar nga shumë burime mediatike. Me këtë fushatë, faqet e internetit të lajmeve u ripërdorën dhe u përdorën për të përhapur dezinformata në platformën X, shkruan “Zhurnal.mk”.
Pra, në nivel ndërkombëtar, ka pasur raste të shumta të ndërhyrjes së huaj dhe manipulimit të informacionit të dokumentuara para zgjedhjeve në shumë vende.
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut mund të jenë gjithashtu një terren mbi të cilin aktorët e huaj mund të luajnë për të shkaktuar kaos ose destabilizim. Është vërtetuar edhe ne të kaluarën se qendra e mediave pro ruse dhe pro serbe ishte në Maqedoninë e Veriut, prej ku kishte ndikim në zgjedhjet në SHBA, por edhe në zgjedhje të tjera nëpër botë.
Qendra informative ruse është në Nish të Serbisë, ndërsa Maqedonia e Veriut konsiderohet një teren i lehtë për të bërë manipulime të shumta.
Njerëzit që janë më të arsimuar dhe të informuar rreth ekzistencës së sulmeve të tilla, që lexojnë dhe studiojnë rreth tyre, janë më pak të prekshëm. Ndërsa njerëzit që nuk janë të informuar, nuk lexojnë verifikime faktesh ose nuk lexojnë artikuj dhe studime rreth këtyre fushatave, janë shumë më të ndjeshëm, dhe kjo mund të lidhet edhe me faktorë socialë.
Me rëndësi është që të vazhdohet raportimi mbi vetë fenomenin, pra mbi manipulimet dhe ndërhyrjet e huaja, por edhe të verifikohet e gjithë përmbajtja individuale që përhapet.
Fenomeni i madh duhet të përshkruhet, por edhe teoritë individuale të konspiracionit duhet të verifikohen. Elementi i tretë është që mediat duhet të vazhdojnë të shkruajnë për përgjegjësinë e kompanive të mediave sociale dhe përgjegjësinë e qeverisë për t’iu përgjigjur këtyre fenomeneve, sepse kjo është me të vërtetë e rëndësishme.
Duhet të mbahet mend se sulmet dhe dezinformimi lehtësohen edhe nga rrjetet sociale si Meta ose TikTok që lejojnë përhapjen e informacionit të tillë. Prandaj, legjislacioni mund të ndihmojë në vendosjen e një kontrolli më të madh mbi këtë fenomen.
Prandaj nevojitet që të hapen më shumë sytë nga partitë politike se çfarë deklarata japin, çfarë informacioni marrin, ku duhet ta plasojnë atë dhe si të përcillet deri te opinion, shkruan “Zhurnal.mk”.
