Ademi: Interpretimet për gjuhën shqipe në provimin e jurisprudencës janë absurde dhe fyese

Nga admin
385 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 Mars, Zhurnal.mk – Sekretari i përgjithshëm i Bashkimi Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj debatit të fundit për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës, duke akuzuar Qeverinë për interpretime, siç i quajti ai, “absurde dhe fyese për inteligjencën e qytetarëve”, transmeton Zhurnal.mk.

Ademi përmes reagimit të tij në fejsbuk profilin e tij, vlerësoi qëndrimin e dy inspektorëve të Inspektoratit për zbatimin e gjuhëve, të cilët sipas tij konfirmuan se Ligji për përdorimin e gjuhëve është lex specialis dhe se provimi i jurisprudencës nuk ka të bëjë me testimin e njohurive gjuhësore, por me vlerësimin e kompetencës profesionale.

“Heronjtë e ditës janë dy inspektorët e Inspektoratit për zbatimin e gjuhëve. Ata thanë se Ligji për gjuhët është i qartë, është lex specialis, ndërsa provimi i Jurisprudencës nuk është test për kontroll të njohurive gjuhësore, gjëra në të cilat ne nuk kemi dyshuar aspak që nga fillimi”, ka deklaruar Ademi.

Ai ka kritikuar ashpër përfaqësuesit e Qeverisë për qëndrimet e tyre, duke thënë se po ofrojnë interpretime të papranueshme dhe ofenduese për publikun.

“Nga ana tjetër, çfarë duhet të bëjnë zyrtarët e Qeverisë që na i fyen inteligjencën me interpretime absurde e të çmendura. Ndërsa VLEN le të vazhdojnë me gjumin e tyre gati dyvjeçar. Është bërë boll. Madje e kanë tepruar me këtë turpërim të paprecedent që po na e servojnë”, ka theksuar ai.

Në fund, Ademi ka drejtuar kritika edhe ndaj institucionit të Avokatit të Popullit, duke vënë në pikëpyetje rolin dhe qëndrimet e tij në këtë çështje.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër