Shkup, 28 mar, Zhurnal.mk – Rezultatet e anketës së fundit, e cila VLEN-in e nxjerrë si forcën e parë politike shqiptare me 5.1% të mbështetjes së deklaruar në rast të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nuk janë thjesht një tregues statistikor.
Kjo shifër në të njëjtën kohë sinjalizon se një ndryshim gradual në proces e sipër në skenën politike shqiptare në Maqedoni të Veriut është duke ndodhur.
Shënon poashtu një zhvendosje e sipër të përkrahjes së elektoratit shqiptar drejt subjekteve politike të VLEN-it, dhe kështu edhe vet VLEN-it, i cili këtyre ditëve ndodhet në procesin e shndërrimit një një parti të vetme, të ristrukturuar e të bashkuar, shkruan Zhurnal.mk.
Nga 5 parti në 1
Elementi i tretë i momentit interesant që po krijohet me bashkimin e pesë partive të VLEN-it në një të vetme, po ashtu është se një realitet politik i deritashëm i karakterizuar për vite me radhë nga fragmentimi dhe rivalitetet e brendshme, e bënë VLEN-in si alternativë me përkrahjen më të madhe (sipas anketës së sotme) dhe partinë e parë në kampin shqiptar.
Edhe pse përqindja prej 5.1% mund të interpretohet si e ulët në pamje të parë, ajo merr peshë reale kur lexohet në kontekstin e një elektorati ende të pavendosur dhe në kërkim të një përfaqësimi më koherent si shenjë e lëvizjes së elektoratit për shkak të zhgënjimeve me ato të tjerat.
Por ajo që e bën këtë moment politik veçanërisht të rëndësishëm nuk është vetëm rezultati i anketës. Është po aq procesi paralel që po zhvillohet në terren për vet të ardhmen e VLEN si parti e strukturuar dhe unike.
Strukturimi i VLEN në të gjithë territorin e vendit
Kjo shtrirje organizative nuk është vetëm çështje logjistike, por është themel i një projekti politik nga themeluesit e saj që synon të jetë i qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Një organizim i mirë në terren përkthehet në besim, prezencë dhe komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët. Dhe këtë duket se themeluesit e VLEN e kanë kuptuar rëndësinë dhe i janë përvjelur punës për të zbatuar dhe arritur qëllimin.
E gjithë kjo është ende në proces e sipër dhe përgjegja përfundimtare e të ardhmes së VLEN do të mësohet eventualisht në Maj, kur edhe është paralajmëruar që të mbahet Kongresi i parë i partisë, pra një VLEN-i të unifikuar.
Historia e partive politike shqiptare në vend ka treguar se fragmentimi shpesh ka prodhuar dobësi përfaqësimi – djegie votash – dhe humbje të kapitalit politik. Në këtë kuptim, çdo përpjekje për bashkim, siç është tregimi i VLEN, përbënë jo vetëm strategji elektorale, por edhe domosdoshmëri politike.
Këtij procesi përbrenda VLEN, këtyre i ditëve ka mbetur të bëhet edhe një hap i vetëm për të përbyllur synimin, para kongresit të Maj-it.
Partia Alternativa në mbledhjen e fundit , e autorizoi kryetarin e saj Bekim Sali që të vazhdojë bisedimet, me pjesën tjetër të VLEN , e cila tashmë ka vendosur të shkrihet me të tjerët në një subjekt, parti të vetme.
Standardi i ri politik
Nëse VLEN arrin që të kalojë nga një koalicion në një subjekt të vetëm, me struktura të qarta dhe vendimmarrje të konsoliduar, atëherë ky projekt mund të krijojë një standard të ri në skenën politike shqiptare në Maqedoni të Veriut, në vendin në të cilin shqiptarët dominohen për nga numrat nga maqedonasit shumicë.
Ky standar do t’i jepte fund logjikës së ndarjes, copëzimit, djegie votash në zgjedhje, dhe hap rrugë për një përfaqësim më të fuqishëm dhe më të artikuluar për qytetarët shqiptarë të vendit.
Megjithatë, unifikimi nuk është proces i lehtë. Ai kërkon kompromis, vizion dhe mbi të gjitha vullnet politik për të tejkaluar interesat e ngushta partiake. Pikërisht këtu do të testohet serioziteti i këtij projekti politik.
Në fund, anketa e sotme duhet parë si një mundësi dhe paralajmërim njëkohësisht. Mundësia për të ndërtuar një alternativë të re të konsoliduar është aty duke trokitur tek dera. Por po aq edhe paralajmërim se çdo dështim në rrugën e unifikimit mund të rikthejë ciklin e vjetër të fragmentimit e për pasojë edhe të zhgënjimit të elektoratit i cili si duket është lodhur me numrin e stërmadhuar të partive politike shqiptare e kaotizmit të tyre subjektiv, të shkaktuar nga subjektiviteti individualizmi i krerëve të tyre dhe interesat e të “fortëve” brenda vet partive.
Sepse në politikë, momentet e tilla nuk zgjasin shumë. Dhe kur hapet një dritare për bashkim, ajo ose shfrytëzohet, ose mbyllet për një kohë të gjatë.
Në këtë kontekst, përvoja e së kaluarës do të duhej të shërbente si mësim për të ardhmen. Fragmentimi i dobëson që të gjithë, unifikimi i forcon që të gjithë.
Formula për arritjen e së dytës është duke u testuar nga vet VLEN, dhe arritja e këtij synimi është shumë afër.
Me arritjen e këtij unifikimi krijohet moment i ri dhe i fuqizon krijuesit e VLEN dhe krejt përbërësit e tij, për të mbajtur premtimet ndaj votuesve, pra qytetarëve.
Me formulën e unifikimit edhe realizimi pritjeve në rritje për mirëqenie ekonomike-sociale të elektoratit është më i lehtë, sepse unifikimi krijon efikasitet, bënë bashkë idetë e kreativitetet dhe krijon në front të përbashkët.
VLEN e ka në dorë këtë mundësi
Të tjerët në opozitë do të duhej shqyrtuar këtë model dhe ulur shpatat e përçarjeve.
Formulën për ruajtjen e votave të shqiptarëve, pra mos-djegia e votave të tyre, VLEN-i e nisi. Tash ajo duhet vënë në praktikë nga të gjithë: në pushtet dhe opozitë.
Kësaj i thonë shëndet i mirë i demokracisë, e cila kërkon konstruktivitet, vendosmëri dhe dëbim të subjektivitetit dhe individualizmit në shërbim të cilësisë së madhe të kërkuar: cilësisë së gjendjes ekonomike-sociale të qytetarëve, shkruan Zhurnal.mk.
Anketa e fundit: Stimulim për një VLEN të unifikuar, sfidë për partitë tjera
654
Artikulli i mëparshëm
