Shkup, 22 shkurt – Ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga paralajmërimi i fundit, megjithatë qeveria nuk ka publikuar akoma një draft-ligj konkret për bashkimin e dy institucioneve të siguri, Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe Agjencisë së Zbulimit. Në verën e vitit 2024, kryeministri kishte thënë se bashkimi ishte çështje muajsh.
“Mund të them se ai do të jetë proces që do të zgjasë disa muaj. Pres që me sukses të përfundojë në Kuvend. Këtë model të bashkimit të këtyre shërbimeve e kanë shumë shtete të NATO-s, në mesin e tyre nga fqinjët edhe Sllovenia në fund të viteve 90 dhe Kroacia në fillim të viteve 2000. Ky është detyrim, është pjesë e programit të qeverisë dhe do ta bëjmë gjatë muajve që vijnë,” tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Tani, qeveria nuk u përgjigj në pyetjen se deri kur do të jetë gati ligji, çfarë përmban, sa do të zgjasë shkrirja e institucioneve, etj. Nuk dihet akoma as se çfarë do të parashihet në aspektin e kompetencave dhe menaxhimit të institucionit që do të krijohet dhe as se si do të sigurohet pengimi i ndikimit ose keqpërdorimit politik të tij.
Alsat jozyrtarisht ka mësuar se sipas një draft ligji që është në përpunim, parashikohet që drejtori i Agjencisë së bashkuar të zgjidhjet nga kryeministri dhe të mos jetë person nga shërbimet sekrete, ose të paktën tre vitet e fundit, të mos ketë qenë i angazhuar në asnjë institucion të kësaj sfere.
Bashkimin e agjencive sekrete, Agjencisë për Siguri Kombëtare e cila për momentin është në kompetenca të Qeverisë dhe Agjencisë së Zbulimit e cila është në kompetenca të Presidentit, e kishte premtuar edhe qeveria e kaluar. Megjithatë, sipas tyre, duhej të kalonte kohë për krijimin e kushteve që këto institucione të bashkëvepronin dhe të shkrihen në një të vetme. Ky premtim, nuk u realizua. Kërkesa për unifikimin e tyre vjen edhe si pasojë e një efikasiteti më të madh të shërbimeve sekrete pas anëtarësimit të vendit në NATO.
