Tetovë, 1 maj, Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në një intervistë në emisionin Debat Plus, deklaroi se qëndrimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kanë ndikuar në “delegjitimimin” e kërkesave të shqiptarëve në vend.
Sipas tij, këto deklarata i kanë dhënë argumente politike kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në raport me debatin për gjuhën shqipe.
“Që ne na delegjitimoi dhe që u dha argument Kristian Mickoskit dhe fuqi politike, që kryeministri po i mbështesë ata forca politike. Kryeministri i Kosovës po del dhe thotë se gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare. Dhe javë të tëra antishqiptarët më të mëdhenj, e vendosnin në ekran kryeministrin e Kosovës, që mua më gërryente në shpirt, ja kryeministri i Kosovës thotë që gjuha shqipe s’ka qenë zyrtare dhe nuk është.
Ishte kryeministri i Kosovës që shqiptarëve këtu ua hoqi të drejtën legjitime, legjitimitetin… kjo me ka brengosur nga kryeministrit. Sepse i tërë devalvimi i situatës këtu, asnjë hap prapa nuk ka shkuar. Që dy vjet këtu nga një hap shkohet. Kontestohet gjuha, dhe nuk përdoret më, siç është përdorur nëpër institucione. Përfaqësimi i drejtë është heq”, ka thënë Ahmeti.
Këto komente vijnë në një kohë kur debati për gjuhën shqipe është intensifikuar në Maqedoninë e Veriut, pas protestave të studentëve shqiptarë në Shkup, të cilët kërkojnë që provimet profesionale të mund të mbahen edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me legjislacionin ekzistues.
Intervista e plotë: https://www.facebook.com/BDI002/videos/1601905704220357
