Një aksident i rëndë komunikacioni ka ndodhur mbrëmjen e mbrëmshme në Malin e Zi, ku një autobus me rreth 90 nxënës që po ktheheshin nga një ekskursion është përplasur me një shkëmb në rrugën magjistrale Mojkovac – Kolashin.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:35 në vendin e quajtur Lumi Shtitaricës. Sipas informacioneve të para, dyshohet se nga kodra kanë rënë gurë në rrugë, me ç’rast shoferi është përpjekur të shmangë shembjen, por me pjesën e parë të djathtë të autobusit ka goditur shkëmbin.
Si pasojë e aksidentit, udhëheqësi i udhëtimit ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa katër persona të tjerë kanë marrë lëndime më të lehta, mes të cilëve edhe tre nxënës të shkollës fillore “Pavle Rovinski” nga Podgorica.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat vendase (“Vijesti”), personi i lënduar rëndë ka pësuar frakturë të legenit dhe të rruazave të shtyllës kurrizore, për çka është vendosur transferimi i tij i menjëhershëm në Qendrën Klinike të Malit të Zi. Të lënduarit fillimisht janë transportuar në spitalin e Bjello Poles.
Në momentin e aksidentit në autobus ndodheshin rreth 90 nxënës. Pas incidentit, një pjesë e fëmijëve janë transportuar drejt Podgoricës me automjete të transportuesve privatë, ndërsa për pjesën tjetër është dërguar një autobus tjetër nga agjencia organizuese e ekskursionit. Po ashtu, disa prindër kanë mbërritur në vendngjarje për t’i marrë vetë fëmijët e tyre.
